Shqipëria

Çfarë parashikon projektligji me kushtet e reja për abortin dhe lindjet invitro?


Një projektligj i ri që rregullon shëndetin seksual dhe riprodhues është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë.

Drafti synon të rregullojë të plotë zhvillimin e reja në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përshirë edhe shtatzënisë surrogate dhe riprodhimin in vitro.

Nëse drafti i propozuar do të miratohet atëherë çdo grua e cila do ta kishte të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetej shtatzënë ka të drejtën që të ketë një fëmijë përmes një marrëveshje me shkrim me një grua tjetër, e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër.

Në nenin 22 të draftit të propozuar, specifikohet qartë që gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë  duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzënisë në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, ndërkohë që ndalohet që gruaja surrogate të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Të gjitha procedurat dhe kushtet e tjera ligji kërkon që të përcaktohen me një urdhër të ministrit të Shëndetësisë.

Aborti, kushtet e reja

Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik, që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, kryhet sipas protokolleve të miratuara. Vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë merret të paktën 3 ditë pas marrjes së informacionit. Në rast se afati prej 3 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të mos respektohet. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:

-Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog.

-Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë.

– Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç.

-Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.

Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë, si dhe problemet e mundshme shëndetësore të ndërhyrjes mjekësore. Të drejtat, ndihmën dhe avantazhet e garantuara me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, si dhe për mundësitë e adoptimit birësimit të fëmijëve që priten të lindin.

Ndërsa, projektligji ndalon: përdorimin e embrionit për qëllime tregtare dhe eksperimentale, manipulimin gjenetik në embrion, trafikimi i qelizave riprodhuese dhe embrioneve, përzierja e qelizave riprodhuese, kryerja e teknikave të FIV me qëllim përzgjedhjen e gjinisë, përpara implantimit në mitrën e një gruaje, me përjashtim të rasteve kur kërkohet të parandalohet një sëmundje serioze e trashëguar, e lidhur me gjininë e fëmijës, kryerja e klonimit në qeniet njerëzore dhe kryerja e riprodhimit mjekësor të asistuar, kur qelizat riprodhuese vijnë nga individë me lidhje gjenetike të përcaktuara në Kodin e Familjes.

Si do të përdoret “Shtatzënia surrogative”

Shtatzënia surrogative bëhet në bazë të një marrëveshje me shkrim midis gruas që dëshiron të ketë një fëmijë, por që ndodhet në kushtet e pamundësisë mjekësore, dhe gruas që do të bartë fetusin në mitrën e saj dhe do të lindë fëmijën për llogari të së parës.

Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë nje shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, në rast se mbetet shtatzënë.

Gruaja zëvendesuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë.

Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.

Procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për një shtatzëni surrogate, përcaktohen në protokollin përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Fëmijët e lindur sipas teknikës së riprodhimit mjekësor të asistuar nëpërmjet shtatzënisë surrogate, i nënshtrohen dispozitave të Kodit të Familjes për birësimin surrogativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore