Gjykata Speciale

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Kadri Veseli

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 29 prill).

Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00 këtë të hënë, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën (30 prill). Ndërkaq, seancat gjyqësore do të vazhdojnë edhe përgjatë muajit maj, ku priten të mbahen 14 prej tyre. Seanca e parë për këtë muaj pritet të mbahet më 1 maj, ndërsa e fundit më 30 maj 2024.

Ndërkohë, më 15 prill, trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, në vendime të veçanta për secilin, vazhdoi paraburgimin për Thaçin dhe Veselin, duke pretenduar se vazhdon të ekzistojë rreziku se dy të akuzuarit do ta pengojnë procesin gjyqësor dhe do të kryejnë vepra të tjera penale.

E prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 57 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun. Në seancën e fundit dëshmoi ish-pjesëtari i UÇK-së, Ramiz Qeriqi, komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 121 në rajonin e Pashtrikut.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore