Lajme

Kosova ndryshon Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19


Ilustrim

Kosova ka ndryshuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19, duke lejuar edhe personat nën moshën 16 vjeçare të imunizohen kundër sëmundjes.

Sipas vendimit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), do t’iu lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i tha Albanian Post se vaksinimi nga mosha 12 vjeç deri në 15 vjeç do të bëhet me indikacione shëndetësore si dhe me konsultim të mjekut dhe në bashkëpunim me prindin.

“Mirëpo jo të gjithë fëmijët e kësaj moshe, por vetëm ata që kanë imunitet të komprometuar, sëmundje bashkëshoqëruese, që janë më të rrezikuar”, deklaroi Hoti.

Ndërkaq, ai theksoi se, “plani i vaksinimit do të përditësohet për shkak se do të përfshihen tash edhe dy kategori, terminët do të shtohen dhe se procesi do të zgjas me javë e muaj të tërë”.

Mirëpo, shtoi se nuk do të ketë heqje të terminëve sa i përket vaksinimit, për shkak se do të përsëritej ajo që ndodhi, para disa muajve grumbullimi i qytetarëve tek salla “1 Tetori”.

“Të heqim terminët, do të thotë të përsëritet ajo ditë e keqe që ishte para disa muajve tek 1 tetori, terminët janë të lidhur me sistem informativ dhe lehtësojnë punën”.

E pavarësisht, problemeve që janë raportuar Hoti, theksoi se nuk ka problem për të rezervuar termin madje, “në mbrëmjen e të hënës i kemi tejkaluar kapacitetet për vaksinim”, tha ai.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Shala, u shpreh për Albanian Post, se të gjitha vendimet që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve mbështetem nga KPK.

“Ne si KPK, pajtohemi që adoleshentet mbi 16 vjeç të kenë mundësi që të marrin vaksinën, por kjo nuk i amniston mësimdhënësit që të mos e marrin vaksinën”, tha Shala.

Ai theksoi se KPK është vetëm kundër atyre që bëjnë thirrje që të mos marrin vaksinën.

“Ne jemi kundër gjithë atyre që bëjnë thirrje mos me marr vaksinën, sepse këta njerëz me vetëdije ose jo, po i shpijnë njerëzit e pafajshëm drejt vdekjes”.

Ndërkaq, Shala potencoi se “askush nuk ka vdekur nga Covidi, nëse ka marr dozat e vaksinës”.

“Pse të mos merret vaksina kur ta shpëton jetën?”.

Ky vendim, sipas tij, do të ndihmojë shumë në arsimin e mesëm të lartë, sepse gjithnjë e më shumë nxënësit do të jenë të mbrojtur nga COVID-19 dhe mundëson mësimin me prezencë fizike.

Edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, i tha Albanian Post se të gjitha vendimet që merren nga instituciont tona duhet të jenë në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Çfarëdo vendimi i institucioneve tona rreth vaksinimit duhet te jete në linjë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përfshirë këtu edhe vaksinimin e grup moshave të të reja”, tha Qehaja.

Ndërsa, ka potencuar se rikthimi mësimor në prezencë të plotë fizik do të bëhet vetëm përmes imunizimit me vaksinim.

“Kjo, do të ofronte sigurinë për komunitetin e shkollës por edhe do mundësonte rikthimin  vëmendjes tek një cilësi më e mirë në mësimdhënie dhe mësim nxënie”.

Kufizimet e reja kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të martën se pas dërgimit të 173 mostrave pozitive jashtë Kosovës, 171 kanë dalë me variantin Delta.

Ndërkaq, ka deklaruar se më 18 gusht do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës masa të reja për luftimin ndaj pandemisë COVID-19, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve.

“Situata epidemiologjike është shumë serioze, përhapja e variantit Delta është shumë e lartë, dominuese”, ka thënë Vitia.

Kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasoja e organizimeve në ambiente të mbyllura.

Ministri Vitia, bëri të ditur se është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe ditën e shtunë.

Edhe, Oda e Hotelierisë dhe Turizmit, ka thënë se pas takimit me ministrin Vitia është kuptuar se Qeverisë do t’i propozohet se nga data 20 gusht, sallat për organizim të ahengjeve dhe dasmave do të mund të punojnë deri në orën 22:30 dhe me kapacitet deri në 150 persona.

Edhe kafiteritë do të mund të punojnë me të njëjtin orar, derisa klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator të këtij viti.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të martën (17 gusht) janë regjistruar edhe pesë viktima nga Coronavirusi i ri (Delta).

Në laboratorët publikë dhe privatë të martën janë shënuar edhe 1 mijë e 765 raste të reja. Këto shifra bazohen në 9 mijë e 581 mostra të testuara.

Nga grupmosha 20-29 vjeç të infektuar janë 434 persona, ndërkaq nga 30-39 vjeç janë infektuar 285 vetë.

Edhe nga mosha 10 deri 19 vjeç, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 179 persona kanë rezultuar pozitiv.

Aktualisht raste aktive në Kosovë janë 10 mijë e 183.

Fushata e imunizimit në Kosovë është ndarë në tri faza. Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti.

Kontingjentet nga Pfizer, kanë nisur të arrijnë në Kosovë në fund të qershorit.

Kosova ka pranuar edhe donacione vaksinash nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet individuale.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 17 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 118 mijë e 752 raste me COVID-19, ku 2 mijë e 286 kanë përfunduar me fatalitet.

Prej fillimit të vaksinimit, në fund të muajit mars, në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë 601 mijë e 701 doza të vaksinës.

Deri më 17 gusht 213 mijë e 279 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore