Lajme

Rifat Latifi emërohet ministër i ri i Shëndetësisë


Ministër i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi.

Ministër i ri i Shëndetësisë në Kosovë, do të jetë Rifat Latifi.

Emërimin e tij e ka bërë të ditur vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

“Unë si kryeministër sapo kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë, i cili do të jetë Profesor Doktor Rifat Latifi, që erdhi nga New York në Prishtinë”, është shprehur Kurti, teksa ka treguar edhe për profesionalizmin e Latifit.

Rifat Latifi në konferencën e tij të parë si Ministër i sapo emëruar i shëndetësisë, ka premtuar se ai vetë dhe ekipi i tij do të angazhohen në ngritjen e standardeve mjekësore duke e ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë punëtorëve shëndetësor.

Sipas tij, me ngritjen e kapaciteteve njerëzore investohet në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtohet volumi i shërbimeve mjekësore në Kosovë.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova, do të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe kështu këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona”, ka thënë Latifi.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

“Rezultate nuk do të shihen brenda ditës”, tha Latifi duke shtuar se “duhet investim dhe përkrahje shtetërore legjislative, përkrahje kolektive dhe individuale për të realizuar gjithë këtë strategji afatgjate e transformimit të shëndetësisë”.

Ardhja ime nga rehatia në jetën amerikane, sinjal i fuqishëm që të kthehen edhe të tjerët

Ministri i ri i Shëndetësisë Rifat Latifi, që erdhi nga SHBA-ja, ka ripërsëritur disa herë që synon që ta kthejë ‘trurin shkencor’ të larguar nga Kosova duke nënkuptuar kthimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në vend.

“[Kthimi i trurit mjekësor] tash për tash është koncept në mendjen time detajet e të cilave do t’i njihni derisa ne i përcaktojmë saktësisht”.

“Fakti se unë kam ardhur këtu nga një rehati në jetën amerikane dhe një pune shumë të mirë është sinjal i fuqishëm që edhe të tjerët të na bashkangjiten në kthimin në Kosovë”.

“Kur e kemi pasë kongresin e parë të kirurgëve të Kosovës kemi pasë më shumë se 10 kirurgë eminentë të botës që janë nga Kosova dhe që janë gati me u kthy dhe të kontribuojnë në edukim. Duhet të jemi të hapur dhe të krijojmë strategji se si t’i angazhojmë të gjithë ata që duan të vijnë”.

 

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë tash e disa javë ka ushtruese detyre gjegjësisht Dafina Gexha-Bunjakun, pasi ish-ministri, Arben Vitia u tërhoq nga kjo dikaster për të kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetor.

Latifi është shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.

Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore