Kosova

Ahmeti: Vonesa e vaksinimit, rrit gjasat që të krijohen variante të COVID-19


Infektologu, Sali Ahmeti.

Infektologu në Kosovë, Sali Ahmeti, përmes një video-mesazhi ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen, sepse në të kundërtën do të rriten gjasat që të krijohen variante të COVID-19.

“Sa më shumë që vonohemi me vaksinim, aq më shumë do të rriten gjasat që të krijohen variante të reja të virusit, me pasoja të rënda. Të tregohemi të përgjegjshëm, për veten, të afërmit tonë e për gjithë shoqërinë. Duke i zbatuar me përpikëri masat mbrojtëse kundër COVID dhe duke u vaksinuar sa më parë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka paralajmëruar se rastet mund të rriten pas shfaqjes së variantit Omicron.

“Është fundi i vitit, festat po vijnë e shumë familjarë do të na vizitojnë. Rreziku i infektimit do të rritet për shkak edhe të variantit Omicron dhe varianteve të tjera që mund të shfaqen. Një valë e re do të ishte dërmuese për të gjithë. Na ka mbetur ende punë për të bërë.

Infektologu, Sali Ahmeti.

Ndërsa, si infektolog ai është shprehur se pandemia COVID-19 ka qenë një ndër sfidat më të mëdha të karrierës së tij.

“Pandemia COVID-19 ka qenë njëra nga sfidat më të mëdha të karrierës time 35 vjeçare si infektolog. Asnjëherë më parë nuk jam ballafaquar me kaq shumë vuajtje dhe vdekje në spitalet tona. Që nga fillimi i pandemisë kanë humbur jetën rreth 3 mijë qytetarë të vendit tonë, ndërsa vetëm për katër muajt e fundit”.

Ai është shprehur se asnjëherë nuk është ballafaquar me kaq shumë vuajtje e vdekje.

“Në spitalet tona vdiqën me qindra qytetarë. 89% e tyre ishin të pavaksinuar plotësisht. Rastet e infektuara u rritën aq shumë, sa vetëm për një ditë patëm mbi 2 mijë e 500 raste dhe 36 vdekje”.

“Kjo ndikoi që qytetarët të drejtohen në qendrat e vaksinimit për tu mbrojtur nga ky rrezik i madh. Ku brenda një dite në numër rekord u vaksinuan mbi 22 mijë qytetarë. Por me rënien e rasteve, edhe vaksinimi u ngadalësua”, ka shtuar ai.

Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2021.

Më 26 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka lajmëruar se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021”.

“Nga këto mostra, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529). Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste”.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, dy janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, një nga Franca, dhe katër nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

Ngjashmëritë e shenjave klinike të variantit Omicron dhe gripit stinor janë pothuajse të përafërta.

Kjo është bërë e ditur edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Në shumë raste nuk është e lehtë klinikisht të dallosh gripin sezonal nga infeksione të tjera të frymëmarrjes, ku bën pjesë edhe [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri] COVID-19, ku për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik”, është thënë nga IKSHPK-ja përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore