Kosova

Arrijnë 46 mijë doza të vaksinave Pfizer në Kosovë


Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, ka thënë për Albanian Post se në Kosovë ka arritur një kontingjent me vaksina anti-COVID-19.

“46 mijë 800 doza vaksinash COVID-19, nga mekanizmi Pfizer, kanë arritur në Kosovë, të hënën që e lëm pas”, tha Hoti.

“Nga to, 5 mijë doza janë të donacionit të Bashkimit Evropian dhe sasia tjetër janë të blera nga Ministria e Shëndetësisë”.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publikë të Kosovës, ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare dhe në laboratorët privat me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsejtë 2 mijë 577 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në teren, ndërsa kanë rezultuar gjithsejtë 28 persona të infektuar me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 18 persona gjithsejtë.

Numri total i rasteve të konfirmuar është 107 mijë 954 persona, ndërsa nga fillimi i pandemisë numri i rasteve të vdekjes është 2 mijë 265 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 114.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 9 mijë 999 vaksina kundër COVID-19.

Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në të gjithë Kosovën janë dhënë 333 mijë 705 doza të vaksinës.

Ndërsa të vaksinuar me dozën e dytë janë 99 mijë 377.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore