Shqipëria

12 vite nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO


Shqipëria feston sot 12-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO. Dita historike e 1 prillit të vitit 2009, që përkon edhe me 60 vjetorin e krijimit të Aleancës, futi vendin si anëtare me drejta të plota në Aleancën më të suksesshme që ka njohur koha.

Më 4 prill të 2009-s, përfaqësuesit e Shqipërisë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi, së bashku me përfaqësuesit e 27 vendeve të tjera anëtare, kaluan urën nga qyteti gjerman Kehl në qytetin francez Strasburg. Simbol ky që tregon lidhjen dhe bashkëpunimin midis shteteve anëtare.

Përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO

Shqipëria ka kaluar nëpër disa momente kryesore, për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO.

Në vitin 1992, vendi pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Këshilli ishte organizmi i parë që Aleanca krijoi për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Nga viti 1992 deri në vitin 1999, qeveritë shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të aderimit. Gjatë këtyre viteve, vendi u përfshi në iniciativa të ndryshme dhe nënshkroi disa dokumente që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.

Ftesa dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

“Shqipëria do të jetë anëtare e shkëlqyer e NATO-s”, ishin fjalët e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, në Samitin e Bukureshtit të mbajtur më 2 prill 2008. Kjo ngjarje përkon edhe me marrjen e ftesës zyrtare të Shqipërisë për anëtarësimin në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Presidenti i Shqipërisë asokohe, Bamir Topi, u shpreh se “Shqipëria ka hyrë tashmë në rrugën e pakthyeshme të ndërtimit të një shteti të së drejtës”.

Një vit më pas, më 1 prill 2009, në orën 11:50, pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO. Në Tiranë, ky moment është shoqëruar me 28 të shtëna topash, të cilat simbolizonin 28 vendet anëtare të Atlantikut të Veriut të asaj kohe.

Më 4 prill 2009, Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota në samitin që u mbajt në Strasburg. Presidenti i Republikës së asaj kohe, Bamir Topi, dhe ish-kryeministri Sali Berisha u pritën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në atë Samit, Shqipëria dhe Kroacia, të dyja vendet të anëtarësuara njëkohësisht në NATO, u përshëndetën edhe nga ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

“Dëshirojmë t’i urojmë Shqipërisë dhe Kroacisë mirëseardhjen në NATO”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar ditën e anëtarësimit në NATO si “ditën më të madhe për Shqipërinë, që nga pavarësia e saj”.

Çfarë është NATO?

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut është një nga institucionet ndërkombëtare më të mëdha të botës. Ajo është një aleancë politike dhe ushtarake, e cila mbledh së bashku 30 vende anëtare nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Këto vende mblidhen për t’u këshilluar dhe për të bashkëpunuar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Sipas traktatit, organizata ndihmon nëse një nga vendet përfshihet në luftë ose gjendet në rrezik, anëtarët dhe fuqitë e tyre ushtarake ndërhyjnë në shuarjen e konfliktit.

NATO shfaqet si simbol i demokracisë dhe sigurisë. Aleanca është partneri më i mirë që një vend mund të ketë në situata të vështira konfliktuale.

Në Shqipëri, NATO po investon me bazën e parë ajrore në rajon, e cila do të jetë në Kuçovë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, investimi kap vlerat 50 milionë euro.

“NATO-ja do të shpenzojë mbi 50 milionë euro në fazën e parë të punës për ta kthyer Kuçovën në një bazë mbështetëse për furnizime, logjistikë, trajnim dhe manovra”, u shpreh ish-ministrja e Brendshme, Olta Xhaçka, vitin e kaluar.

Ia vlen të theksohet se, pavarësisht se cilat forca politike kanë drejtuar vendin gjatë viteve të tranzicionit, janë të shumta nismat dhe proceset ku Shqipëria është përfshirë me NATO-n. Disa nga ato janë edhe misionet ushtarake ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës, si në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, që nga viti 1994, që Shqipëria ka marrë pjesë në misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO, Kombet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, kanë kontribuar gjithsej 6 mijë e 982 ushtarakë.

Kujtojmë që, në vitin 1998, pas dështimit për një marrëveshje paqësore me Beogradin, NATO, nën udhëheqjen e SHBA -së çliroi Kosovën dhe shpëtoi nga barbaritë serbe qytetarët e saj.

Sulmet e NATO-s ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi të tërhiqte trupat nga Kosova.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore