Lajme

14 ditët e fundit të regjistrimit të popullsisë – 1 milionë qytetarë u regjistruan


Foto nga fletëregjistrimet.

Rreth 1 milionë qytetarë janë regjistruar deri tani nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ndonëse bojkotimi i këtij procesi në komunat veriore po vazhdon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka lavdëruar të premten punën e ASK-së gjatë këtij procesi.

“Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar, edhe dy javë deri në përfundim të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave”.

“Sot bëhen 2/3 e procesit të regjistrimit, ndërsa kanë mbetur edhe 14 ditë deri në fund. Pjesëmarrja e qytetarëve është e lartë dhe misioni i ekspertëve të UNECE dhe UNFPA ka konstatuar se Agjencia e Statistikave të Kosovës po bën një punë shembullore në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e procesit”, ka shkruar ai.

Ndërsa, thirrja e tij ka qenë që qytetarët t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës për regjistrim.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, të hënën në informimin javor për procesin e regjistrimit të popullsisë ka bërë të ditur se në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të ketë hezitim nga komuniteti serb, por jo edhe në jug.

Ai ka theksuar se një pjesë që jetojnë në Veri e që i përkasin komuniteteve të tjera, janë regjistruar por jo edhe serbët.

“Në pjesën veriore, janë regjistruar pjesa dërmuese ndërsa komuniteti serb akoma heziton në mënyrë masive. Ka një regjistrim të disa ekonomive familjare dhe individëve, por është numër i vogël”.

Duke shtuar se “në jug, komuniteti serb është duke u regjistruar”.

Kastrati, potencoi se lidhur me këto probleme kanë zhvilluar takime edhe me disa institucione ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur një diskutim javën e kaluar me disa institucione ndërkombëtare dhe ndoshta ata do të ua transmetojnë komunitetit serb në Veri, sepse ata duhet ta dinë që është edhe për të mirën e tyre. Komuniteti serb duhet ta dijë që procesi s’është aspak politik”.

Gjobat e ASK-së

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Regjistrimi i serbëve në Veri do të shfaqte manipulimet me listat zgjedhore – “hezitimi, rezultat i institucioneve të Kosovës”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore