Lajme

Zgjedhjet serbe, Lajçak tregon cili ishte propozimi i QUINT-it për Kosovën


Miroslav Lajçak

I dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se propozimi i shteteve të QUINT-it për palën kosovare në çështjen e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në Kosovë ishte që “kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë të jenë oficerët ndërlidhës”.

“Zyrat ndërlidhëse janë i vetmi kanal komunikimi që ekziston mes dy qeverive. Nëse do të kishim komunikim normal ndërshtetëror midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog. Dialogu zhvillohet për t’i normalizuar marrëdhëniet. Andaj, QUINT-it ka bërë përpjekje t’i adresojë ndjeshmëritë, por, për fat të keq, nuk ka funksionuar”, ka thënë Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas diplomatit sllovak, kjo situatë pas refuzimit të propozimit të shteteve të QUINT-it nga Qeveria e Kosovës nuk e ngrin dialogun Kosovë-Serbi.

“Të paktën kështu shpresoj. Por, sigurisht, ne kemi qenë të përfshirë në përpjekjet për të lehtësuar një marrëveshje për zgjedhjet, sepse çfarëdo vendimi që do të merrej, do të kishte ndikim në situatën në terren. Për mua, si ndërmjetësues [i dialogut], është jashtëzakonisht e rëndësishme që atmosfera të mbetet konstruktive, në mënyrë që ne t’i vazhdojmë takimet tona dhe të kemi dy palë të gatshme për të rënë dakord për gjërat”, ka shtuar ai.

Lajçak më tej në intervistë thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, dhe se sipas tij ekziston një aranzhim që është propozuar nga QUINT-i dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ky aranzhim e ka bërë të mundur mbajtjen e pesë palë zgjedhjeve serbe në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit. Prandaj, e kemi respektuar ekzistencën e një modeli ekzistues, dhe kemi ofruar një gjë nga dialogu, që është kanali [apo] oficerët ndërlidhës, sepse ata kanë dalë nga dialogu”.

Lajçak gjatë intervistës ka bërë të ditur se një takim ndërmjet liderëve shtetëror të Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm kur Kurti dhe Vuçiç mund të pajtohen për diçka.

“Për takimin e tretë kemi dashur të sigurohemi që të prodhojmë diçka. Kjo është ajo që presin njerëzit. Dialogu nuk ka alternativë. Kjo gjë është shumë e qartë. Së pari, pa normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia nuk do të ecin përpara në agjendën evropiane, së dyti, kjo gjë do të ndikojë në atmosferën rajonale, sepse dihet se kjo është gjë rajonale. Kjo është platforma e vetme ku ata mund të takohen, të flasin me njëri-tjetrin si të barabartë”, ka shtuar ai.

Flamujt e shteteve të QUINT-it

Ndryshe, këmbëngulja e Qeverisë së Kosovës, që për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe Qeveria e Serbisë t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare, ka nxitur reagime.

Kështu shtetet e QUINT-it përmes një deklarate të përbashkët kanë potencuar se një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës “nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e tyre dhe rrjedhimisht një gjë e tillë do të minojë aspiratat evropiane të Kosovës”.

“Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga shtetet e QUINT-it. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, shkruhej në deklaratën e përbashkët.

SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermani, Franca dhe Italia, ishin angazhuar intensivisht me qeverinë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve serb të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill 2022.

Në lidhje me këtë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të marten deklaroi se është munduar “me mish e me shpirt” për të arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pa u cënuar kushtetutshmëria e vendit, por kjo nuk u arrit dot.

“Unë jam munduar me mish e me shpirt që të jem shumë aktiv në bisedime për marrëveshje. Por, nuk e kemi arritur. Tash jemi ku jemi, nuk kemi çfarë të bëjmë”, deklaroi ai në një intervistë për televizionin shtetëror të Kosovës.

Foto Armend Nimani (AFP) – Graçanicë, duke votuar për zgjedhjet parlamentare serbe të mbajtura më 2014

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke komentuar këtë situatë, përveç akuzave ndaj Kryeministrit Kurti, fajin e ka hedhur edhe te vendet QUINT-ti, për çka tha se e kishin garantuar se Referendumi i 15 janarit ishte tjetër gjë nga mundësia për të mbajtur zgjedhjet serbe të 3 prillit në Kosovë.

“Perëndimi na ka thënë se referendumi ishte një gjë, sepse kishte të bënte me Kushtetutën, dhe se për zgjedhjet [çështja] ishte krejt ndryshe”, ka thënë Vuçiç në Pink Tv.

“Dje, shtetet e QUINT-it më thanë që kanë bërë më të mirën e tyre, por që dështuan ta bindin Albin Kurti. Gjithmonë thonë se kanë bërë më të mirën e tyre…këtë koment ironik e di, po nuk kam nevojë t’i bëjë lajka njerëzve dhe të them çfarë kam thënë në person. Por, kjo gjë nuk e ndërron situatën”, vazhdoi ai.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore