Shqipëria

Zgjedhjet për kryetar të PD-së, 7 maji afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave


Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike, ka caktuar datën 7 maj si afatin e fundit për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të PD-së.

Në një njoftim zyrtar ata bëjnë me dije se dokumentacioni dorëzohet pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike deri në orën 12 ditën e shtunë.

Dokumentacioni përfshin kërkesë me shkrim, shfaqje interesi për kandidim; Curriculum Vitae dhe formularin e plotësuar të pastërtisë së figurës.

Mund të jetë një imazh i teksti

Kujtojmë që të shtunën e 30 prillit u zhvillua Kuvendi Kombëtar, ku u miratuan ndryshimet statutore.

Po atë ditë u caktua 22 maji si datë kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së.

Deri në momentin kur do të zgjidhet kryesia e PD-së, drejtimin do ta mbajë Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Po atë ditë Enkelejd Alibeaj u shkarkua nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së dhe u shpall vakanca për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Për këtë të fundit u ngarkua Këshilli Kombëtar për zgjedhjen e kreut të ri. Ndërsa të dielën Komisioni shpalli 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar – të zgjedhur me votim të fshehtë.

Disa nga ndryshimet statutore

Në përputhje me mundësitë e saj financiare, Partia Demokratike ndërton aparatin e saj qendror administrativ, i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme.

Aparati qendror administrativ drejtohet nga Administratori i Përgjithshëm i Partisë, i cili emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate. Struktura e aparatit qendror administrativ përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë. Administratori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me vendim të Kryesisë së Partisë.

Nga 1 mijë e 838 delegatë në total, në Kuvendin e 30 prillit morën pjesë 1 mijë e 425.

Këta të fundit, votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë.

Pa iu nënshtruar votimit janë anëtarë të Këshillit ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-kryetarë të Kuvendit dhe ish-kryetarë të PDSH-së.

Ndërsa automatikisht u zgjodhë kandidatë anëtarët në detyrë të kryesisë së Partisë, kryetarët e degëve të PDSH-së, deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike.

Kujtojmë që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, detyrën e mori Enkelejd Alibeaj. 

Mirëpo Komisioni i Rithemelimit nuk e njeh atë si kryetar në detyrë, pasi në bazë ligjore, Gjykata e Tiranës i ka njohur ndryshimet statutore të dala nga  Kuvendi i 11 dhjetorit.

Nga ana tjetër ndërkombëtarët njohin Alibeajn si kryetar të mandatuar të demokratëve. 

Përçarja “e thellë” e demokratëve erdhi pasi Departamentit Amerikan të Shtetit, shpalli ish-liderin e bluve, Sali Berisha, si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore