Shqipëria

Komisioni i Rithemelimit publikon anëtarët e Këshillit Kombëtar – cilët mbetën jashtë?


Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike, mesditën e 1 majit ka prezantuar 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Përfaqësuesja e Komisionit, Albana Vokshi, pasi bëri të ditur se votat janë numëruar live në prani të medias, ka lexuar 150 emrat sipas rendit alfabetik.

“50% e anëtarësisë të ardhur nga organizata partnere nga Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas”, njoftoi Vokshi.

Sakaq ajo bëri të ditur se të gjithë delegatët në Kuvend ishin të zgjedhur nga vetë degët.

“Ka qenë një proces jo i lehtë pasi fletët ishin me 425 emra dhe shumë fletë kishin të përzgjedhur edhe 140 apo 150 emra. Sipas statutit të PD-së 30% e Këshillit Kombëtarë duhet që të përbëhet nga zonjat dhe 15% deri në 35 vjeç”, tha Vokshi.

Nga emrat që Vokshi lexoi u vërejt rikthimi i Arben Imamit (një ndër themeluesit e PD-së), Eno Bozdos, Elton Banos, Aldo Bumçit, Myslim Murrizit, Rudina Hajdarit (vajza e Azem Hajdarit) etj.

Kujtojmë që një ditë më parë u zhvillua Kuvendi Kombëtar, ku u miratuan ndryshimet statutore.

Sa i përket Këshillit Kombëtar, sipas ndryshimeve statutore, do të përbëhet nga 150 anëtarë dhe kryetari i PD-së – të zgjedhur me votim të fshehtë.

Pa iu nënshtruar votimit janë anëtarë të Këshillit ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryetarët e PDSH-së, që janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Ndërsa automatikisht zgjidhen kandidatë anëtarët në detyrë të kryesisë së Partisë, kryetarët e degëve të PDSH-së, deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike.

Përpos rikthimeve, jashtë Këshillit kanë mbetur një sërë emrash të njohur.

Agim Baçi, Fitim Zekthi dhe moderatorja, Ori Nebiaj, nuk janë më pjesë e Këshillit demokrat.

Po ashtu jashtë tij kanë mbetur ish-futbollistët Gentian Muça dhe Andi Lila, të cilët ishin prurjet në listën e kaluar.

Edhe këshilltari për çështjet ligjore në selinë blu, Marash Logu, nuk ia ka dalë të jetë pjesë e Këshillit.

Ndryshimet statutore

Kryetari i komisionit në detyrë, Belind Këlliçi, bëri të ditur se, deri në momentin kur do të zgjidhet kryesia e PD-së, drejtimin do ta mbajë Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

“Mandati i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit, përfundon në momentin që zgjidhet Kryesia e PDSH-së”, thuhej në ndryshimet statutore.

22 maji u caktua data kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së.

Enkelejd Alibeaj u shkarkua nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së dhe u shpall vakanca për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Për këtë u ngarkua Këshilli Kombëtar për zgjedhjen e kreut të ri.

Në përputhje me mundësitë e saj financiare, Partia Demokratike ndërton aparatin e saj qendror administrativ, i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme.

Aparati qendror administrativ drejtohet nga Administratori i Përgjithshëm i Partisë, i cili emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate. Struktura e aparatit qendror administrativ përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë. Administratori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me vendim të Kryesisë së Partisë.

Nga 1 mijë e 838 delegatë në total, në Kuvendin e 30 prillit morën pjesë 1 mijë e 425.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore