Lajme

Zelensky viziton jugun e Ukrainës, përjeton shkatërrimin


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar për të parën herë që prej fillimit të agresionit rus ndaj vendit të tij, zonën jugore dhe jug-perëndimore, duke u fokusuar më së shumti tek qytetet e Mykolaivit dhe Odessas.

Ajo çfarë ai ka dëshmuar aty, është thjesht një përjetim shkatërrimi masiv.

Në Mykolaiv mbi të gjitha, shumë prej ndërtesave janë goditur nga predhat ruse dhe janë dëmtuar pjesërisht ose shkatërruar tërësisht.

Odessa, pavarësisht se më pak e bombarduar, ka parë gjithashtu dëme prej 24 shkurtit, datë kjo kur mësymja ruse në Ukrainë nisi.

Takime, presidenti Zelensky pati edhe me ushtarë të shumtë, të cilët janë në vijën e parë të luftës.

“Është e rëndësishme që ju jeni gjallë. Për sa kohë ju jeni këtu, një mur i fortë që e mbron Ukrainën nga armiku është këtu”, u tha Zelensky trupave të armatosura për t’i dhënë kurajë në rezistencën ndaj pushtimit.

Ai po ashtu u shpërndau medalje nderi atyre, në shenjë respekti për sakrificën që po bëjnë.

Mykolaivi ka qenë ndër qendrat më të rëndësishme që Rusia ka dashur të marrë prej kohësh, por nuk ia arriti dot pavarësisht bombardimeve të shumta që kreu aty.

Qyteti gjendet vetëm 100 kilometra larg Khersonit – qytet të cilit Rusia e kontrollon prej kohësh.

Përtej këtij fakti, avancimi rus është ndalur dhe nuk ka arritur të penetrojë më në veri të Ukrainës.

Aksioni kryesor nga Moska tashmë është i shtrirë në Donbass, ku po kërkohet marrja e plotë e kontrollit në Donetsk dhe Luhansk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore