Përballje

Xhiro e dytë në basketbollin e Kosovës vjen me përballje interesante, lejohet prania e 100 shikuesve


Xhiro e dytë në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll, do të sjellë përballje interesante.

Takimi më interesant i kësaj jave, pritet të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në kryeqytet, aty ku Sigal Prishtina do të ballafaqohet me Pejën.

Klasikja e vjetër e basketbollit kosovar, pritet të jetë shumë interesante, ku këto skuadra u ndeshen edhe në çerekfinale të Superkupës, në të cilën fituan pejanët me shifrat 83:76.

Të dy skuadrat e filluan me fitore bindëse kampionatin, ku prishtinasit mundën Dritën, kurse Peja triumfoi ndaj Bashkimit.

Kjo sfidë do të zhvillohet të shtunën në ora 19:00, derisa ndeshja tjetër e kësaj dite do të luhet nga ora 17:00 në Rahovec, aty ku Rahoveci do të përballet me ekipin e posa ngjitur në elitën e basketbollit të Kosovës, RC Cola Drita.

Në xhiron e parë, Drita u mposht nga Sigal Prishtina, ndërsa Rahoveci pësoi nga Prizreni 16.

Ditën e diele do të zhvillohen edhe dy takime interesante. Takimi i parë do të luhet në Mitrovicë nga ora 17:00, ku do të ballafaqohen dy ekipet që ishin në finalen e Supërkupës së Kosovës, Trepça dhe Prizreni 16.

Mitrovicasit kanë bërë shumë ndryshime nga stinori i kaluar, kurse prizrenasit pasi fituan Superkupën, kanë rritur ambiciet.

‘Xehetarët’ në xhiron e parë mposhtën Golden Eagle Yllin, kurse basketbollistët prizrenas shënuan fitore ndaj Rahovecit.

Ndërkohë, ndeshja e fundit e kësaj xhiro, do të zhvillohet në Suharekë nga ora 19:00, aty ku Golden Eagle Ylli e pret Bashkimin.

Këto dy skuadra u përballen edhe në çerekfinale të Kupës, ku fituan bindshëm therandasit, që shihen favoritë edhe për sfidën e së dielës.

Të gjitha këto takime do të zhvillohen me praninë e më së shumti 100 shikuesve në salla, por gjithmonë duke respektuar masat anti-Covid, si mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancës sociale.

Për të hyrë në sallat sportive, shikuesit duhet të kenë certifikatën e vaksinimit (ose njërën dozë), apo testin PCR negativ, jo më të vjetër se 72 orë.

XHIRO II

E shtunë

17:00 Rahoveci – RC Cola Drita

19:00 Sigal Prishtina – Peja

E diel

17:00 Trepça – Prizreni 16

19:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore