Sport

Konfirmohen dy lojtarët e parë të thirrur nga Sylvinho për Euro 2024


Kombëtarja e Shqipërisë ende nuk e ka publikuar listën e saj provizore apo përfundimtare për Euro 2024. Megjithatë, dy lojtarë janë zbuluar. Armando Broja dhe Jasir Asani kanë mbërritur tashmë në Tiranë dhe janë gati të fillojnë përgatitjet me kuqezinjtë.

Jasir Asani ishte një nga yjet më të dalluar të Shqipërisë gjatë fushatës kualifikuese duke shënuar gola vendimtarë dhe të jashtëzakonshëm, duke fituar edhe çmime si “Goli i Raundit”.

Nga ana tjetër, Broja, i cilësuar si lojtari më i mirë shqiptar i moment, për shkak dëmtimi nuk arriti të luante në fushatën kualifikuese. Por, tani ai është gati për të treguar veten.

Lista provizore e Shqipërisë pritet të publikohet nga trajneri Sylvinho të hënën, 27 maj, në orën 16:00.

Në të njëjtën orë trajneri Sylvinho do të dalë në një konferencë zyrtare për median në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përballë gazetarëve ku do të flasë për listën e lojtarëve, përgatitjet, dy ndeshjet miqësore dhe finalet e Euro 2024.

Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.

Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladas Sportkomplexum”.

Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në “SportCentrum Kaiserau”, në afërsi të Dortmundit.

Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).

Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore