Lajme

Vuçiç e uron Milatoviç-in: Do të keni gjithmonë një partner të besueshëm në Serbi


Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka uruar të hënën presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili fitoi rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, duke e mundur Milo Gjukanoviç-in, presidentin e deritanishëm.

“Ju përgëzoj për fitoren tuaj ne zgjedhjet presidenciale, me bindjen se do të tregoni një vullnet të fortë për të ju ofruar qytetarëve të Malit të Zi një jetë në paqe dhe përparim”, thuhet në mesazhin e presidentit serb drejtur Milatoviç-it.

Ai shtoi se Milatoviç në Serbi “do të ketë gjithmonë një partner të besueshëm” në zhvillimin e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe një “mbështetje solide për paqen dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor”.

Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, Milo Gjukanoviç, do të zëvendësohet në krye të shtetit malazez nga tridhjetë e shtatë (37) vjeçari, Jakov Milatoviç, një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Gjukanoviç dhe Partia Socialiste e Demokratëve (DPS) erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1991.

Rëndësia e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në skenën politike malazeze shkon përtej asaj të zgjedhjeve të rregullta dhe ato kanë një rëndësi të madhe në skenën politike ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Gjukanoviç ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.

Ekspertët e skenës politike malazeze paralajmërojnë se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse një intelektual me orientim liberal, ai ishte ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur rreth Kishës Ortodokse Serbe. 37-vjeçari mori mbështetje nga partitë e afërta me Serbinë, Rusinë dhe Kishën Ortodokse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore