Lajme

Vuçiç: Do të zbatojmë gjithçka që kemi nënshkruar, por vetëm pasi Kosova ta formojë Asociacionin


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar këtë të mërkure se shteti që ai udhëheqë “do të përmbushë gjithçka që është nënshkruar në marrëveshjen me Prishtinën, por vetëm pasi Kosova të përmbushë detyrimin e saj nga Marrëveshja e Brukselit (2013) dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, ku foli për Marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar në vitin 2013 në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Sot bëhen 10 vjet nga miratimi i Marrëveshjes së Brukselit. Kur Kosova të formojë Asociacionin, Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës. Ndoshta në shenjë të vullnetit të mirë do të bëjmë diçka në mënyrë të njëanshme, por kjo nuk ka të bëjë me detyrimin tuaj për të formuar Asociacionin”, tha Vuçiç.

Po ashtu, Vuçiç potencoi se Serbia “nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.

Ndryshe këtë të mërkure, janë bërë 10 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiç i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

Pikat e marrëveshjes:

1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për secilën komunë tjetër, nëse pajtohen anëtaret aktuale.

2. Asociacioni/Bashkësia do të krijohet me statut. Shpërbërja mund të bëhet vetëm me vendimin e komunave anëtare. Garancionet ligjore do të jepen me ligjin përkatës dhe ligjin kushtetues (duke përfshirë shumicën prej 2/3)

3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohet në bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe do të ketë presidentin, zv/presidentin, kuvendi dhe këshillin.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje dhe ligji kosovar komunat pjesëmarrëse duhet do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë për të zbatuar fuqitë e tyre bashkërisht në krejt Asociaionin. Asociacioni/Bashkësa do të ketë mbikëqyrje/kontroll për zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ketë të tjera kompetenca që mund t’i delegohen nga pushteti qendror.

6. Asociacioni/Bashkësia duhet të ketë një përfaqësues në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ për komunitete. Për realizim parashikohet një funksion monitorues.

7. Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës.

8. Pjesëtarëve të strukturave të tjera të sigurisë serbe do t’iu ofrohet një që t’i bashkangjiten strukturave kosovare.

9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit.

10. Sistemi i drejtësisë do të integrohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe do të operoj brenda kësaj kornize. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formojë një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serb të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat që kanë shumicë serbe.

11. Një njësit i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqtarët, do të vendoset në Mitrovicën veriore, (Gjykata e Qarkut e Mitrovicë). Secili panel i divizionit të lartshënuar, do të jetë i përbërë me një shumicë të gjyqtarëve serbë të Kosovës. Gjykatësit përkatës, do vendosin varësisht nga natyra e rastit në të cilin janë përfshirë.

12. Zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat veriore në vitin 2013, me lehtësimin e OSBE-së, në koordinim me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

13. Diskutimet për energji dhe telekomikacion do të intensifikohen dhe duhet të përfundohen para 15 qershorit.

14. Palët janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët që të bllokojnë palën tjetër në rrugën drejtë BE-së.

15. Një komisioni i zbatimit do të themelohet nga të dyja palët, me lehtësimin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore