Shqipëria

Vijon zjarri në Majën e Rrunës, një helikopter drejt vatrave serioze


Të mërkurën e 11 gushtit pritet që forcat operacionale, të cilat janë në terren prej më shumë se një jave, të përqendrohen në Majën e Rrunës dhe vatrat e saj aktive.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes (MM), një helikopter do t’iu bashkohet ekipeve të Forcave Operacionale të Kukësit për shuarjen e vatrave serioze.

Kukësi ishte ndër qarqet më të prekura nga zjarret. Tuneli i Kalimashit, fatmirësisht shpëtoi nga flakët, pasi u arrit në kohë neutralizmi i tyre përpara mbërritjes në tunel. E gjithë zona mbi kalimin tejpërtej malit, ishte e kapluar nga zjarri.

Një tjetër zonë problematike është edhe Qafa e Mollave, për shkak të sipërfaqes së lartë pyjore.

Gjithashtu një tjetër vatër e rrezikshme pritet që të afrohet në Pukë-Mirditë-Kukës, në zonën e quajtur Laku i Thive.

MM-ja shkruan në njoftim se për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse, 6 punonjës të pyjores, 5 punonjës të NjA Malzi, 20 forca nga komuniteti i zonës dhe forcat e DMR-së Kukës.

Ndërsa në bashkinë Tropojë janë dy vatra zjarri aktive një në pyje të fshatit Betoshë njësia administrative Lekbibaj dhe vatra tjetër afër fshatit Dragobi, njësia administrative Margegaj.

Gjithashtu sipas informacioneve nga Bashkia Tropojë, bëhet me dije se janë angazhuar 6 punonjës të pyjores, 5 punonjës të AZM, 4 punonjës të NjA Margegaj dhe 10 forca nga komuniteti i zonës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore