Lajme

“Venus and Adonis” shitet për 13 milionë euro në ankand


Vepra “Venus and Adonis”, e pikturuar nga Titian, është shitur në ankandin e Sotheby’s në Londër për 13 milionë euro.

Vepra ka arritur çmimin e dytë më të lartë për çdo vepër të artistit të madh venecian të Rilindjes.

Sakaq, koleksionisti që e bleu veprën ka kërkuar të mbetet anonim për momentin.

Ka një duzinë versionesh të “Venus and Adonis” të Titian-it, disa të cilësisë më të lartë mbahen në Museo del Prado në Madrid, Muzeun J. Paul Getty në Los Angeles dhe Muzeun Metropolitan të Artit në New York.

Piktura e shitur nga Sotheby’s u ekspozua në Vjenë bashkë me gjashtëdhjetë vepra nga koleksionet e muzeut.

Ajo u ekspozua në seksionin “Bota e mrekullueshme e miteve”, ku tregohej se si artistët e Rilindjes dhe klientët e tyre e konsideronin pikturën mitologjike si kulmin e artit.

Hulumtimet dhe studimet që janë bërë mbi pikturën i kanë lejuar ekspertët të identifikojnë një origjinë thuajse të pandërprerë që gjurmon treqind vjet nga fillimi i shekullit të XVIII deri në ditët e sotme.

Disa raporte kanë nxjerrë se piktura i përkiste princit Eugene të Savojës dhe një tjetër ish-pronar i shquar ishte Benjamin West, president i Akademisë Mbretërore në Londër.

Po ashtu vepra ka udhëtuar nëpër Gjermaninë e mesit të shekullit të XX-të, nga koleksioni i Maximilian von Heyl zu Herrnsheim në Darmstadt, nga viti 1904 deri në vitin 1966.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore