Lajme

Vendimi u mor, por që të hapet ura mbi Ibër ka edhe shumë punë


Ura e Ibrit

Skënder Sadiku, zëvendës-kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Verore nga Inciativa Qytetare “Mitrovica”, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se vendimin për hapjen e urës së Ibrit e kanë marrë pas aneksave të qytetarëve të qytetit të Mitrovicës në të dy anët e Ibrit.

“Po kërkojmë ta hapim qytetin, jo vetëm ndonjë pjesë në jug apo në veri. Brenda qytetit ka pasur disa akse ku ka qenë problematik qarkullimi i veturave. Ne kemi kërkuar që në shenjë të normalizimit të lejohet edhe qarkullimi i automjeteve”, tha Sadiku për AP.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune janë zëvendësuar dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë të Listës Serbe dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit të organizuar të serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.

Shumica e asambleistëve janë shqiptarë, por në mesin e tyre janë edhe dy boshnjakë dhe një serb. Në miratimin e kërkesës për hapjen e urës më 28 prill, siç tregoi Sadiku, përfaqësuesi i komunitetit serb ka kërkuar që vendimi të shtyhet për një moment tjetër.

Skënder Sadiku

“S’ka qenë kundër vendimit, por që vendimi të merret pak më vonë, ngase sipas tij, nuk janë kushtet politike që të merremi me këtë pjesë. Ne jemi thirrë në emër të lëvizjes së lirë, jo në emër të ndonjë kauze, as më të madhe as më të vogël, por thjeshtë një kauzë qytetarë dhe universale”, theksoi Sadiku.

Qeveria e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, megjithëse Sadiku theksoi se nuk janë koordinuar me nivelin qendror për marrjen e këtij vendimi.

“Jo, ne jemi të pavarur. Është kërkesë e qytetarëve. Ne jemi të thirrur për këtë. Ne kemi dalë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve edhe nuk s’ka pasur koordinim paraprak, por qeveria e di se monitorimi i Asambleve Komunave behet nga Ministria e Admistratimit të Pushtetit Lokal”, shtoi ai.

Në anën tjetër, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, theksoi se tani “nuk është momenti i duhur” për hapjen e urës mbi Ibër, ngase sipas tij, palët duhet të respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe “vijat e kuqe”.

Sadiku theksoi se janë të vetëdijshëm për të gjitha procedurat lidhur me këtë çështje, duke qenë se ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve prej vitesh.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se si dhe kur mund të zbatohet vendimi për hapjen e “urës së turpit”, ndonëse mund të mos ketë sukses.

“Monitorimi i Asambleve Komunave në mbarë Kosovën bëhet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe çdo vendim yni shkon në filtrin e qeverisë. Jemi të vetëdijshëm që çështja e urës nuk është vetëm çështje e veriut, por është çështje e dy komunave”.

“Ne jemi të vetëdijshëm që janë të involvuar edhe komuniteti ndërkombëtar. Edhe ata e kanë një filtër tjetër. Sa i përket këtij vendimi – kushtimisht nuk është vendim final – por mund të themi se ne si komune kemi marrë vendim që ne emër të lirisë të lëvizjes të lejohet edhe lëvizja e automjeteve”, shtoi ai.

Sa i përket urës mbi lumin Ibër, ai kujtoi se ekzistojnë edhe dy ura të tjera – në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Suhadoll – që nuk paraqesin asnjë problem për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por se, siç tha ai, ura qendrore është problemi kryesor.

“Qytetarët lëvizin në dy ura tjera, jo në urën kryesore. Këtu kemi telashe. Ne kemi kërkuar që qytetarëte të lëvizin në urën kryesore. Mitrovica, në jug dhe në veri është e lidhur me tre ura, por ura qendrore është bërë ‘urë turpi'”, nënvizoi Sadiku.

Në lidhje me rihapjen e urës së Ibrit, ka reaguar edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës (KFOR), të cilët kanë lënë të kuptohet se kjo gjë mund të bëhet vetëm përmes dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore