Shqipëria

Vdes ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe: Bota reagon


Shinzo Abe, ish-kryeministri i Japonisë, ndërroi jetë pasi u qëllua me armë zjarri gjatë fushatës në qytetin e Nara.

Sulmi i së premtes shkaktoi tronditje dhe reagime të shumta.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian, shkruan se “e kemi vërejtur këtë incident të papritur dhe jemi tronditur”.

Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong, shkroi se atentati “është një akt dhune pa kuptim”.

“Abe është një mik i mirë i Singaporit. Sapo e kisha takuar për drekë në maj, në vizitën time në Tokio. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Abe dhe familjen e tij.”

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, deklaroi se ishte “e tronditur nga lajmi se Shinzo Abe u qëllua”.

“Mendimet e mia janë me të dhe familjen e tij”, shkroi ajo.

Reagime erdhën edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili shkroi se ndihej “thellësisht i tronditur nga të shtënat e tmerrshme ndaj Shinzo Abe-s teksa ai u drejtohej votuesve”.

“NATO qëndron me njerëzit e partnerit tonë të ngushtë Japonisë dhe kryeministrit Fumio Kishida”.

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, shkroi se ishte e tronditur për vdekjen e ish-kryeministrit japonez, duke ndarë edhe një eksperiencë personale me Abe.

“Shumë e tronditur kur dëgjova për ish-kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe. Ai ishte një nga liderët e parë që takova kur u bëra kryeministër.

“Ai ishte thellësisht i përkushtuar ndaj rolit të tij, por edhe bujar dhe i sjellshëm. Mendimet e mia janë me gruan e tij dhe popullin e Japonisë”, mbyll shkrimin ajo.

Kryeministri i sapozgjedhur australian Anthony Albanese, ka reaguar duke e konsideruar vdekjen e Abe si lajm tronditës dhe duke shprehur ngushëllime për “familjen e tij dhe popullin e Japonisë”.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, ka reaguar gjithashtu duke e konsideruar sulmin si “frikacak”.

“Një mik i vërtetë, mbrojtës i ashpër i rendit shumëpalësh dhe i vlerave demokratike. BE-ja qëndron me popullin e Japonisë dhe Fumio Kishida në këto kohë të vështira”, shkruan Michel.

“Një person të mrekullueshëm”, e ka konsideruar Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ish-kryeministrin Abe Shinzo.

Ajo shton se vrasja “brutale dhe frikacake e Abe tronditi të gjithë botën”.

Kryeministri indian Narendra Modi, ka shprehur edhe ai ngushëllimet e tij pët ish-kryeministrin japonez duke e quajtur “mikun e tij të dashur”.

Reagime erdhën edhe nga pala ruse, ku Ambasadori rus në Japoni, Mikhail Galuzin shkruan se “Rusia e dënon me forcë tentativën barbare për jetën e tij”.

Gjithashtu edhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili ndodhet në Indonezi në mbledhjen e G20-ës, u tha gazetarëve se i shpreh ngushëllimet kolegut të tij.

“Nuk e di se çfarë fshihet pas këtij atentati. E mora vesh gjatë takimit. Unë isha i pari që e nisa fjalimin duke i shprehur ngushëllimet e mia kolegut tim japonez për atë që ndodhi. Me siguri do të ketë një hetim. Nuk kam asgjë më shumë për të shtuar”.

Nuk mungoi edhe reagimi i shtetit fqinj, Presidentes së Tajvanit Tsai Ing-wen, e cila e konsideroi Abe si një mik të sajin dhe të Tajvanit.

“Unë besoj se të gjithë janë po aq të befasuar dhe të trishtuar sa unë. Tajvani dhe Japonia janë të dyja vende demokratike me sundim të ligjit. Në emër të qeverisë sime, dëshiroj të dënoj ashpër aktet e dhunshme dhe të paligjshme.

“Ai ka mbështetur Tajvanin për shumë vite dhe nuk kurseu asnjë përpjekje për të promovuar përparimin e marrëdhënieve Tajvan-Japoni”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson shkruan se ndihet “shumë i tmerruar dhe i trishtuar” për sulmin “e neveritshëm” ndaj Shinzo Abe.

“Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e tij”, shkruan ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nga samiti i G20-ës është shprehur se “ky është një moment shumë, shumë i trishtuar. Dhe ne po presim lajme nga Japonia.”

“Mendimet tona, lutjet tona janë me të, me familjen e tij, me popullin e Japonisë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka shkruar se është “thellësisht i tronditur nga sulmi i neveritshëm” ndaj Abe.

“Mendime për miqtë dhe familjen e një kryeministri të madh. Franca qëndron me popullin japonez”, shkroi ai në Twitter.

Ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe erdhën edhe nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili kujton vizitën e Abë në Shqipëri dhe përkushtimin e tij të “pandërprerë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

“Abe do të mbahet mend si një mik i çmuar i Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, shkruan Presidenti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore