Shqipëria

Vatrat e zjarrit shuhen dhe rindizen, mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile


Kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, Haki Çako, ka dalë në një deklaratë për mediat të hënën e 2 gushtit, duke bërë me dije se në mbrëmje pritet të mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile.

Vatrat e zjarrit janë në një betejë gati 10-ditore, mes përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë nën kontroll dhe rindezjes nga faktori i erës.

Zjarri nuk ka kursyer as Gjirokastrën dhe Divjakën në fillim të kësaj jave, bashkangjitur vatrave të Vlorës, ku ka qenë dhe vëmendja më e madhe e strukturave qendrore dhe vendore, për shkak të afërsisë së Karaburunit me Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Në vijim të fjalës, Çako tha se qarqet më problematike mbeten ato të Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit.

Për kreun e Emergjencave Civile, situata më e ngarkuar paraqitet ende ajo e Vlorës, në pjesën e Karaburunit dhe fshatit Dukat.

Zyrtari u bëri thirrje të gjitha strukturave që të mbeten të angazhuara.

Kreu i Emergjencave bëri me dije se një vlerësim i plotë do të bëhet pas finalizimit të operacionit.

Reagimi i presidentit Ilir Meta

Mbrëmjen e 2 gushtit ka ardhur dhe reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka deklaruar se prej ditësh po e ndjek me shumë shqetësim situatën alarmante, sipas tij, të përhapjes së zjarreve.

“Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë”, shkruante Meta në median sociale Facebook.

Më tej, presidenti vlerësoi sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, ai ka konstatuar se situata “po precipiton shumë rrezikshëm”.

Ai ravijëzon se ka aktualisht mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë. Për një pjesë të tyre, sipas tij, kërkohet organizimi “i operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”.

“Është e patolerueshme”, ka thënë Meta, “që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore”.

Presidenti inkurajon për domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri.

Kjo, për të pasur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike.

Kreu i Shtetit i bëri apel Haki Çakos, drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë, për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit.

Reagimi i kryeministrit Rama

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se, “angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun e jo vetëm, meriton respekt e inkurajim”.

Kjo në një kohë, kur shumë vende “po përballen me kërcënimin e zjarreve”, ka thënë ai.

Rama ka përshëndetur Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren për punën në parandalimin e flakëve të zjarrit në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Gjithashtu, ai ka publikuar dhe videon mbi operacionet e vënies nën kontroll të zjarreve.

Deklarata e ministrit të Mbrojtjes

Mëngjesin e 2 gushtit, Peleshi ishte në Orikum ku njoftoi se vatrat e zjarrit në Karaburun kanë arritur të mbahen në kontroll, duke mos prekur Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Po ashtu, Peleshi tha se te të gjitha vatrat problematike në disa zona të Fierit dhe në Mamurras, “është shuar zjarri”.

Javët e fundit shumë zona pyjore në Shqipëri janë përfshirë nga flakët. Mesditën e së hënës kodrat e fshatit Palokastër të Gjirokastrës janë përfshirë nga flakët.

Për shkak të temperaturave të larta, zjarri u përhap me shpejtësi duke djegur kullotat.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dy zjarrfikës për të shuar zjarrin, pasi situata u vlerësua kritike.

Në këto zona, temperatura ka arritur në vlerën 42 gradë Celsius.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se janë hedhur rreth 300 mijë litra ujë mbi zonën e Karaburunit për të neutralizuar vatra të ndryshme zjarri.

Duke qenë se situata shfaqet ende problematike, ministri deklaroi se, “Forcat e Armatosura (FA) do të vazhdojnë me intensitet për të eliminuar plotësisht çdo vatër”.

Më tej, në Facebook, Peleshi shfaqi videon mbi operacionet e vënies nën kontroll të zjarreve, ku forcat e ushtrisë hedhin ujë nëpërmjet ndihmës me mjetet ajrore.

Një problem ngelen temperaturat e larta, relievi dhe era që e bëjnë akoma më kompleks operacionin, sipas Peleshit.

Ministri bëri me dije se janë marrë të gjitha masat që, në rast nevoje, të shtohen trupat dhe mjetet nga ajri dhe toka.

KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) paralajmëroi nisjen e një kontrolli në terren ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve.

Këto kontrolle kanë ardhur me urdhër të kryetarit, Arben Shehu. Inspektorët e KLSH-së kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike, përfshirë Vlorën dhe Fierin, ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur nga përdorimi i pajisjeve si dhe ana organizative.

Gjithashtu, KLSH-ja do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve, si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë, si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore