Shqipëria

“E patolerueshme që strukturat shfaqen me mjete rrethanore”


“Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore”, deklaroi fillimisht Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Mbrëmjen e 2 gushtit ka ardhur dhe reagimi i Kreut të Shtetit, i cili ka deklaruar se prej ditësh po e ndjek me shumë shqetësim situatën alarmante, sipas tij, të përhapjes së zjarreve.

“Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë”, shkruante Meta në median sociale Facebook.

Më tej, presidenti vlerësoi sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, ai ka konstatuar se situata “po precipiton shumë rrezikshëm”.

Ai ravijëzon se ka aktualisht mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë. Për një pjesë të tyre, sipas tij, kërkohet organizimi “i operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”.

Presidenti inkurajon për domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri.

Kjo, për të pasur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike.

Kreu i Shtetit i bëri apel Haki Çakos, drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë, për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore