Lajme

Ushtaraku Kastrati: “Brigada e Veriut” përbëhet nga kriminelë paramilitarë, Serbia i ka pajisur me armë të gjata


Institucionet e Serbisë përmes strukturave paralele në Veriun e Kosovës për një kohë të gjatë kanë funksionuar dhe po vazhdojnë edhe tani të paraqesin kërcenim për sigurinë kombëtare.

Kjo po bëhet përmes forcës paramilitare “Brigada e Veriut”, e cila ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë, derisa kjo pjesë e Kosovës njihet si vatër e nxehtë me mundësi të shpejt të përshkallëzimit, duke bërë që situata të jetë në vazhdimësi e brishtë.

Për kriminelët e armatosur serbë që janë pozicionuar në Veri – thotë se ka njohuri edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Ai e pohon për Albanian Post se është në dijeni për “Brigadën e Veriut” teksa shton se ky formacion kriminal kishte ekzistuar edhe më herët, por me emra të tjerë.

“Përpara janë quajtur ‘Rojat e Urave’ dhe pastaj ‘Mbrojtja Civile’ dhe tash e kanë shndërruar në formacion ushtarak ‘Brigadën e Veriut’, përmes së cilës kërcënojnë Qeverinë e Kosovës”, thotë Kastrati.

Kadri Kastrati

“Janë të njëjtat formacione dhe të njëjtit njerëz, janë të pajisur me armatim të gjatë nga Serbia”.

Ushtaraku Kastrakti thekson se ky grup nuk janë asgjë tjetër, “vetëm kriminelë që mbështeten nga Beogradi dhe nga politika zyrtare e Serbisë”.

“Janë të përkrahur jo vetëm nga serbë vendorë, por edhe nga agjendë të shërbimit sekret serb dhe sipas informacioneve që unë i kam edhe mercenarë rusë të cilët gjenden në territorin e Serbisë”.

Prandaj, Kastrati kërkon “syçelësi nga institucionet e Kosovës”.

“Institucionet Kosovës duhet të jenë më vigjilente, SHBA ka dërguar 3 mijë trupa ushtarake pasi ky formacion është i përkrahur nga ushtria e Serbisë”, shtoi ish-gjenerali i FSK-së.

Edhe burimet AP-së thonë se për  funksionimin e “Brigadës së Veriut” ka njohuri KFOR-i dhe EULEX-i.

Ndërsa patrullimi bëhet kryesisht natën, ndërsa pjesëtarët nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tregon se gjithmonë në pjesën e veriut ka pasur individë me të kaluar kriminale që kanë shkaktuar probleme, por dhe “grupe të caktuara të krimit të organizuar të cilët kanë mbajtur në presion popullsinë e veriut”.

Ish-kryepolici mendon se shteti serb dhe strukturat në veri do të bëjnë përpjekje vazhdimisht që të organizojnë trazira.

“Jam i sigurt që ka individë dhe grupe të caktuara të cilët do të tentojnë që ta destabilizojnë vendin”, shton Qalaj për AP.

“Sa kam qenë drejtor i kemi pas disa operacione në veri. Mund të them që ka pasur tentativa që të bllokohen rrugët. Duhet të ketë një vendosmëri dhe besoj që nuk do të ketë problem të madh”.

Rashit Qalaj

Kush qëndron prapa tyre?

Të gjitha indikacionet çojnë drejt Bossit të grupit me inicialet M.R., që drejton nga ski-rezortet në Kollashin.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, që për Albanian Post kanë komentuar raportin e EULEX-it, organizime dhe lëvizje të tilla të formacioneve të armatosura, nuk mund të ndodhin pa një aprovim të heshtur nga autoritetet e Serbisë.

Burimet diplomatike të AP shprehin shqetësimin që elementë pro-rus, brenda strukturave shtetërore të Serbisë dhe jo vetëm, janë duke u angazhuar në funksion të përshkallëzimit, me synim final një konfrontim të armatosur.

Në rast të kësaj të fundit, ky zhvillim doemos që do të përfshinte edhe trupat e NATO-së në Kosovë.

Pas raportimit të Albanian Post, EULEX konfirmon: Me 31 korrik është hasur një forcë e armatosur “domethënëse dhe shqetësuese”

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konfirmuar për Albanian Post se në kohën kur u vendosën barrikadat në Veri, me datën 31 korrik, kanë vërejtur një prezencë shqetësuese të një grupi të armatosur.

Duke parë numrin “domethënës” të grupit të armatosur pranë barrikadave, policia e këtij misioni kishte vendosur për ta rritur prezencën në këtë pjesë të Kosovës.

“Me 31 korrik EULEX-i ka vërejtur një prezencë të armatosur domethënëse dhe shqetësuese tek barrikadat që u ngritën në Veri të Kosovës. Si përgjigje, EULEX ka rritur patrullat e veta për zbulim në Veri”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Media e EULEX-it për Albanian Post.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në fshatin Leshak të komunës së Leposaviçit, njësia anti-drogë ka bastisur një lokacion ku edhe kanë sekuestruar katër granata dore, një armë automatike e tipit AK47 me dyqind fishekë, rreth 12 mijë euro si dhe lloje të ndryshme të municionit, radiolidhje e pajisje tjera ndihmëse për trazira.

Sveçla: Në Leposaviç u sekuestruan armë, municion dhe bomba – pajisje ndihmëse për trazira

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore