Auto

Uber-i pezullon përkohësisht shërbimin në Bruksel


Kompania transportuese, Uber, është bashkuar me një proteste të drejtuesve të saj në Bruksel me një pezullim të paparë ndonjëherë të shërbimit të saj në kryeqytetin belg.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se rregullat që datojnë që nga viti 1995 i ndalojnë shoferët të përdorin telefona inteligjentë, çka do të thotë se ata që përdorin aplikacionin Uber për të marrë klientë dhe për t’i çuar ata në destinacion, rrezikojnë të humbasin automjetet e tyre.

“Kjo nuk është e pranueshme në vitin 2021”, ka deklaruar Uber-i, duke shtuar se sektori kishte pritur shtatë vjet për reforma.

Kompania, në një email drejtuar klientëve, ka thënë se shërbimet e saj nuk do të ishin të disponueshme për tre orë në mëngjes sepse qeveria e Brukselit kishte dështuar të paraqiste një plan reforme para verës.

Dhe se kjo ishte në kundërshtim me premtimin e saj për ta bërë këtë.

Uber-i ka pohuar se pezullimi ishte “i jashtëzakonshëm dhe i pashembullt” në Evropë dhe se qëndron me dy mijë drejtues të pavarur që përdorin çdo ditë aplikacionin.

Ai ka shtuar se “ata kanë frikë për punën e tyre dhe janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre”.

Gjatë pezullimit, qindra shoferë të Uber-it i çuan makinat e tyre në një procesion përmes Brukselit qendror në zyrën e kryeministrit rajonal, i cili takoi një delegacion.

Sipas “Reuters”, qeveria e Brukselit ka njoftuar se kishte hartuar një projektligj të martën e 28 shtatorit për të reformuar rregullat për shërbimet e taksive dhe udhëtimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore