Lajme

U premtuan shujta falas për nxënës, tash rrezikohen edhe librat falas


programin prej 61 faqesh të Qeverisë së Kosovës, vetëm tri faqe i dedikohen Arsimit dhe Shkencës dhe përkundër se përgjithësisht ka gjeneralizime, megjithatë janë disa premtime konkrete si përmirësimi i teksteve arsimore, ofrim i vendbanimit për mësimdhënës, çerdhe pa pagesë dhe “në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”.

Gati në fund të mandatit katër vjeçar, Qeveria e Kosovës, përveç se s’ka realizuar pothuajse asnjë pikë të tri faqeve për Arsimin dhe Shkencën, ku shujtat falas as që diskutohen, ka rrezik që t’i lërë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën edhe pa libra fare, të cilat i marrin falas tash e sa vjet.

Ishte ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila në konferencë të përbashkët për media me zëvendësin e saj Taulant Kelmendi, tregoi se nuk kanë arritur marrëveshje me shtëpitë botuese prandaj librat për vitin e ri shkollor, kur ka mbetur edhe një javë që të fillojë pronësi mësimor, nuk kanë arritur t’i sigurojnë.

Gjatë konferencës Nagavci u sfidua nga gazetarët për të treguar se cili do jetë modeli tash, por pothuajse në të gjitha pyetjet ishte e pagojë.

Ajo deklaroi se në mënyrë definitive akoma s’kanë vendosur, por po e shqyrtojnë mundësinë që pagesën për libra ta japin direkt në xhirollogari të prindërve dhe ata të angazhohen për blerjen e librave.

“Pas shumë përpjekjeve shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin dhe kanë thënë se çmimet e tyre janë të panegociueshme”, tha ministrja duke provuar të dëshmojë se kjo ishte edhe arsyeja e mos akordimit me ta.

Ministrja nuk tregoi asnjëherë se cila ishe ajo ofertë që u vlerësua si e papërballueshme nga Qeveria, sa mund të ofronte ministrja dhe më e rëndësishmja, përtej gjithë mangësive të tjera, sa do kushtonte medota e re e zgjedhur.

Nëse nuk vazhdohet me sistemin e njëjtë ku Shtëpitw Botuese siguronin librat e Ministria paguante tarifat, atëherë çfarë do të ndryshojë, meqë prapë nxënësit do t’i blejnë librat nga të njëjtat shtëpi botuese, përveç se me rrezik për çmim më të lartë, pasi futet edhe pjesa e fitimit të librashitësit me pakicë.

Për të mos dhënë përgjigje në pyetje si këto, Nagavci u nxorr duke pohuar se akoma s’kanë diçka përfundimtare, por premtoi se gjatë javës dalin me konkretizime.

Prishja e modelit paraprak, paqartësia aktuale e procedurave dhe kalimi në një model të ri u kritikua ashpër nga ekspertë të Arsimit, opozita dhe opinionistët.

“Hajde logjikë hajde”, shkroi në Facebook, Jusuf Thaci, ish zëvendës-ministër i Arsimit në qeverinë e Kurtit.

Çfarë po të ndodhë tani?

Askush nuk e di, as vetë ministrja e cila pret ta kuptojë këtë javë modelin me të cilin do të vazhdohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore