Shqipëria

Tl-ja: Forcimi i SPAK-ut u la në hije nga dobësimi i pavarësisë së medias


Organizata gjermane Transparency International (TI) ka publikuar raportin e saj vjetor të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK), ku vërehet se Shqipëria ka avancuar me një pikë duke u renditur në vendin e 101 nga 183 shtete.

Shqipëria (36) ka qenë kryesisht në gjendje të ngecur në IPK, thekson raporti.

Në të vërehet se progresi i këtij regjimi hibrid në fusha si verifikimi gjyqësor dhe forcimi i Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është lënë në hije nga dobësimi i pavarësisë së medias dhe mungesa e mundësive për angazhim kuptimplotë në vendimmarrje nga shoqëria civile.

“Vazhdojnë fushatat shpifëse dhe frikësimi kundër gazetarëve dhe, nëse miratohen, ndryshimet në ligjin për lirinë e informimit do të ngushtojnë më tej mundësitë për mbikëqyrje të pavarur të institucioneve publike, duke u ofruar institucioneve baza ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit”, vëren TI-ja.

Për Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore të “Transparency International”, Lidija Prokiç ky është një ndryshim i vogël që nuk konsiderohet përparim.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Malin e Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankan dhe Tajlandën.

Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë.

Përmirësim me 1 pikë shënoi dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë.

Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë.

Në dekadën e fundit, niveli më i ulët i IPK-së ishte në vitin 2013, ndërsa më i larti në vitin 2016 kur u miratua reforma në drejtësi.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2022 (CPI) i publikuar të martën tregoi se liderët kanë injoruar përpjekjet kundër korrupsionit, me nivelet e korrupsionit që ngecin në të gjithë rajonin për të katërtin vit radhazi.

Rajoni ishte shtëpia e një numri samitesh të rëndësishme diplomatike këtë vit, duke përfshirë G20, por udhëheqësit theksuan rimëkëmbjen ekonomike në kurriz të korrupsionit dhe përparësive të tjera.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, qeveritë mbajtën dhe në disa raste zgjeruan kufizimet në hapësirën qytetare dhe liritë themelore të vendosura gjatë pandemisë, duke përshkallëzuar një prirje shqetësuese drejt autoritarizmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore