Lajme

Thirrja e nobelistëve: Ulni me 2% shpenzimet ushtarake në mbarë botën


Ilustrim

Më shumë se 50 laureatë të Çmimit “Nobel” kanë nënshkruar një letër të hapur, ku u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të zvogëlojnë shpenzimet e tyre ushtarake me 2% në vit për pesë vitet e ardhshme.

Gjysmën e parave të kursyera, sipas tyre, shtetet mund ta vendosin në një fond të përbashkët të OKB-së për të luftuar pandemitë, krizën klimatike, si dhe ekstremet e varfërisë.

Nën udhëheqjen e fizikanit italian, Carlo Rovelli, letra mbështetet nga një grup i madh shkencëtarësh dhe matematikanësh, përfshirë Sir Roger Penrose, ndërsa është publikuar në një kohë kur rritja e tensioneve globale ka çuar në një rritje të qëndrueshme të buxheteve të armëve.

Fizikani italian, Carlo Rovell.

“Qeveritë individuale janë nën presion për të rritur shpenzimet ushtarake sepse të tjerët e bëjnë këtë”, thonë nënshkruesit në mbështetje të fushatës së sapo nisur për Dividendin e Paqes, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”.

“Mekanizmi i reagimit mbështet një garë armësh spirale – një humbje kolosale e burimeve që mund të përdoret shumë më me mençuri”, vazhdojnë ata.

Grupi i profilit të lartë thotë se plani përbën një “propozim të thjeshtë dhe konkret për njerëzimin”, megjithëse nuk ka asnjë perspektivë realiste që shkurtimet e shpenzimeve ushtarake të miratohen nga qeveritë ose çdo shumë e kursyer do t’i dorëzohet OKB-së dhe agjencive të saj.

Shpenzimet totale ushtarake arritën në 1 mijë e 981 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar dhe që, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, rezultoi të ishte një rritje prej 2.6%.

Pesë shpenzuesit më të mëdhenj ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (778 miliardë dollarë), Kina (252 miliardë dollarë), India (72.9 miliardë dollarë), Rusia (61.7 miliardë dollarë) dhe Britania e Madhe (59.2 miliardë dollarë) – të gjitha rritën buxhetet e tyre në vitin 2020.

Rritja e tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit, për situata të tilla si Ukraina, dhe midis Kinës dhe SHBA-ve apo aleatëve të saj të Paqësorit mbi Tajvanin, kanë ndihmuar në rritjen e shpenzimeve, ndërsa në vitet e fundit disa traktate të mospërhapjes si marrëveshja “INF”, e cila mbante raketat bërthamore jashtë Evropës, janë lejuar të skadojnë.

Nënshkruesit e letrës argumentojnë se garat e armatimit mund të çojnë në “konflikte vdekjeprurëse dhe shkatërruese”.

“Ne kemi një propozim të thjeshtë për njerëzimin: për një periudhë pesëvjeçare, qeveritë e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të negociojnë për një reduktim të përbashkët të shpenzimeve të tyre ushtarake me 2% çdo vit”, thonë ata.

Mbështetësit e tjerë të letrës përfshijnë udhëheqësin shpirtëror tibetian, Dalai Llama, i cili është fitues i mëparshëm i Çmimit “Nobel” për Paqen, si dhe biologu dhe profesori i Universitetit të Cambridge, Sir Venki Ramakrishnan.

Ata u bëjnë thirrje liderëve politikë të botës për të lejuar që “gjysma e burimeve të liruara nga kjo marrëveshje” t’i ndahet “një fondi global, nën mbikëqyrjen e OKB-së, për të trajtuar problemet e rënda të përbashkëta të njerëzimit: pandemitë, ndryshimet klimatike dhe varfërinë ekstreme”.

Një fond i tillë, pretendojnë ata, mund të arrijë në 1 trilion dollarë deri në vitin 2030.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore