Lajme

Të enjten Kuvendi mban dy seanca – diskutohet për Raportin e KE-së për Kosovën


Të enjten e 30 nëntorit në Kuvendin e Kosovës do mbahen dy seanca plenare, njëra do të fillojë nga ora 10:00 dhe tjera në ora 16:00.

Në një njoftim të lëshuar nga zyra për media e Kuvendit thuhet se në seancën e parë do të ketë debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i publikuar muajin e kaluar për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, “është ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Raporti fillon me theksimin e stabilitetit politik”, ka shkruar fillimisht Bislimi, dhe ka theksuar se “Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë”, kishte theksuar Bislimi.

Ndryshe, gjetja kryesore e KE-së të cilën e ka shfaqur në këtë raport është menaxhimi i dobët i agjendës legjislative.

Sipas këtij raporti puna e Kuvendit të Kosovës mbetet e ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësi në arritjen e kuorumit vendimmarrës, ndonëse Qeveria ka një shumicë të fortë.

“Kjo është pjesërisht për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, por edhe për shkak se anëtarët e opozitës në Kuvend kanë abstenuar nga votimi për të penguar miratimin e ligjeve”, thuhet në raport.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, është thënë se Kosova gjatë kësaj periudhe raportuese, ka bërë njëfarë progresi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit.

Megjithatë, raporti thekson nevojën për përmirësimin e kornizës së përgjithshme ligjore.

Kosova sipas raportit është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik. Megjithatë, shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore