Lajme

Task Forca që ndihmoi sundimin “autokratik” të Vuçiç-it


Në korrik të vitit 2020, njësia e inteligjencës financiare e Serbisë u dërgoi një letër bankave lokale. Në letër kërkoheshin të dhënat e klientëve privatë për rreth 50 OJQ dhe media të njohura.

Ata kishin një të përbashkët – kritikën e sundimit “gjithnjë e më autokratik” të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e vendosi Serbinë “në listën gri” në fillim të vitit 2018.

Motivimi ishte që qeveria serbe duhej të forconte ligjet e saj në mënyrë që autoritetet të mund të gjurmonin më mirë informacionin financiar të individëve.

Pasi Serbia e bëri këtë, FATF-ja e çregjistroi shtetin ballkanik.

Letra, e rishikuar nga Reuters, kërkoi të dhëna mbi hyrjet e tyre në valutë, sipas urdhrit të ligjit të ndryshuar.

Pasi dolën lajmet për letrën, ministri i Financave, Siniša Mali, i tha një kanali televiziv lokal se njësia e inteligjencës “po bënte punën e saj”.

Sipas ministrit, kërkesat e të dhënave nuk duhet të përbënin problem për këta njerëz “nëse nuk fshihet asgjë”.

Maja Stojanoviç, drejtoreshë e Iniciativave Qytetare jofitimprurëse serbe, e cila përmendej në letër, i tha Reuters se qeveria po i përdor të dhënat për fushata denigruese kundrejt OJQ -ve.

Ajo citoi një ligjvënës të lartë nga partia e Vuçiç-it, i cili, në një fjalim gjatë muajit mars, sulmoi OJQ-të si organizatorë të grushtit të shtetit.

Sipas zyrtarit, OJQ-të janë financuar nga jashtë dhe iu referua detajeve të transferimit, të cilat grupet nuk i kishin zbuluar publikisht.

FATF

Nga selia e saj në Paris, FATF prej kohësh i ka nxitur vendet të jenë në përputhje me standardet perëndimore të sigurisë.

Që kur G7 krijoi task forcën në vitin 1989, mbi 180 vende janë zotuar të zbatojnë rekomandimet e saj.

Vendet që konsiderohen se nuk janë në përputhje me standardet e FATF janë “të listuara gri”, ose në listën e zezë, një etiketë që aktualisht mbahet vetëm nga Koreja e Veriut dhe Irani.

Grupet civile prej vitesh janë ankuar se FATF-ja i stigmatizon padrejtësisht si kanale për fonde të paligjshme.

Pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, Task Forca lëshoi ​​një rekomandim, duke paralajmëruar se grupet jofitimprurëse ishin “veçanërisht të cenueshme” ndaj financimit të terrorizmit.

Ky rekomandim kërkoi që shtetet të rishikojnë ligjet e tyre për t’u siguruar që grupe të tilla “nuk mund të keqpërdoren”.

Në vitin 2016, FATF rishikoi rekomandimin e saj për të hequr frazën “veçanërisht e cenueshme”. Dhe avokatët si Vanja Skoric, drejtor programi në Qendrën Evropiane për Ligjin Jofitimprurës, thonë se ata mirëpresin grupin e ri të punës të FATF për të shqyrtuar abuzimet me standardet e tij.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore