Lajme

Talebanët fillojnë “gjuetinë” derë më derë


Kërkimi për njerëzit që kanë punuar për forcat e NATO-s apo qeverinë e mëparshme nga ana e rebelëve talebanë, ka filluar tashmë, edhe derë më derë.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, militantët kanë filluar të shënjestrojnë ndihmësit e misionit të NATO-s në 20 vjet në Kabul. Pjesëtarët e familjeve të tyre, kanë filluar të shënjestrohen po ashtu.

Premtimet e talebanëve me ardhjen në pushtet, ishin se nuk do të kishte hakmarrje për askënd. Mirëpo, frika, mbizotëron në faktin se pak nga ndryshuar nga ata, që prej viteve 1990.

Në raport, shkruhet po ashtu se ata që nuk vetëdorëzohen, arrestohen dhe persekutohen. Më pas, në mungesë të tyre, merren në pyetje dhe ndëshkohen familjarët e tyre.

Christian Nellemann, drejtues i grupit që po harton raportin, tha për median shtetërore britanike BBC, se “kushto që gjendet në listën e zezë të talebanëve, është në rrezik të madh, deri në persekutim”.

Forcat ndërkombëtare janë mbledhur për të kryer evakuimin e çdo personi ndërkaq. Nga shifrat e fundit, janë 18 mijë syresh, të cilët janë larguar nga Kabuli me avionë ushtarakë.

Rreth 6 mijë të tjerë, ndër të cilët përkthyes për NATO-n janë në pritje mes kaosit.

Përpjekje po bëhen për të dyfishuar evakuimet gjatë fundjavës. Postblloqe janë ngritur rreth aeroportit, për të ndaluar personat të kalojnë në territorin që kontrollohet nga amerikanët.

“Në Kabul kemi humbur burimet e informacionit”

Në mes është dora e Pakistanit dhe me tërheqjen e trupave amerikane, është humbur terren i vlefshëm.

Janë këto përfundimet që nxjerr nga rokada e beftë e pushtetit në Afganistan, ish-shefi i Agjencisë Amerike të Inteligjencës (CIA), Leon Panetta, cili ka shërbyer edhe si Sekretar i Mbrojtjes në administratën Obama.

Pesë ditë përpara rënies së Kabulit, vlerësimet e inteligjencës amerikane, besonin se do të duheshin 60 ditë, në mos 90, që forcat talebane të vinin në dyert e Kabulit.

Në këtë aspekt, a ka pasur një dështim të CIA-s në aspektin logjistik, apo ka qenë thjesht nënvlerësim i administratës së Joe Biden?

“Askush nuk është babai i kaosit”, thotë Panetta. “Por, gjithkush do të jetë babai i suksesit”.

Ai ka pohuar se ka pasur një dështim nga ana e inteligjencës amerikane. Po ashtu, edhe nga shërbimet ushtarake dhe civile.

“Ata nuk e kanë kuptuar shpejtësinë me të cilën zhvillohen ngjarjet. Nuk kuptuan as lëvizjet e talebanëve, as rrënimin e Qeverisë afgane. Mendohej për vjeshtë, erdhi në verë”.

Të përditshmet prestigjoze amerikane, New York Times dhe Wall Street Journal, kanë cituat herë pas here burime, nga të cilat theksohej se kishte rezonancë shumë pesimiste mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Kabuli.

“Pjesë problemit, është tërheqja e trupave. Kemi humbur jo vetëm ushtarët në terren, por edhe burimet që furnizonin me informacion”, vijon përsiatjen e tij Panetta. “Pa dyshim që me ato informacione, do të mund të bëhej një tërheqje më e efektshme”.

Ndërsa, për ndërhyrje të mundshme, Panetta nuk ka dyshime se Pakistani, ka ndihmuar talenabanët.

Kjo, pasi ka edhe grupime talebanësh në Pakistan, të cilët kohët e fundit po marrin terren. Edhe fakti se një pjesë e mirë e elitës politike në Pakistan ka përgëzuar ardhjen në pushtet të talebanëve, lë të hidhen dyshime të tilla.

Me këto parakushte, sipas Panetta-s, rifitimi i terrenit është në mos i pamundur, ekstremisht i vështirë.

Ndërsa risku, është se Afganistani, mund të bëhet tashmë një strehë e shenjtë për terroristët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore