Lajme

Szunyog: Zgjedhjet lokale në Veri të mbahen sa më shpejt me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, e po ashtu që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje pa kushtëzime.

Këtë kërkesë Szunyog, e ka bërë përmes një shkrimi në platformën ‘X’.

“U bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës në nivel qendror dhe lokal të ofrojnë gjitha dokumentet e nevojshme dhe të lejojnë grupet e qytetarëve të iniciojnë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në Zubin Potok dhe Zveçan. Është kyçe që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka shkruar Szunypog.

Ndërsa, për nënshkrimin e peticionit, ai është shprehur i lumtur që po sheh serbët e Kosovës duke përdorur të drejtën e tyre.

“I kënaqur të shoh serbët e Kosovës që përdorin të drejtën e tyre demokratike, të ofruar nga korniza ligjore e Kosovës, dhe kanë nisur me mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq”.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq ka nisur të mërkurën me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve.

Numri i qytetarëve të cilët ishin grumbulluar në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë për të nënshkruar peticionin ka qenë relativisht i lartë, të mërkurën e 17 janarit.

Para sallës së sportit ka qenë e pranishme edhe Policia e Kosovës, e cila ka monitoruar të gjithë procesin.

Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore