Kosova

Sveçla: Nga Qeveria do të kërkoj që “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” të shpallen organizata terroriste


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat kriminale si “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” të cilët operojnë në Veri të Kosovës dhe janë të mbështetura në mënyre direkte Beogradi zyrtar të shpallen organizata terroriste.

“Ditëve në vijim unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat ‘Mbrojta Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste me ç’rast lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, është shprehur ai.

Sveçla ndër të tjera në këtë konferencë për media, i ka bërë thirrje Beorgadit që të heqë dorë nga tentativat për eskalim në Kosovë.

Ai gjithashtu ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të reagojë kundër veprimeve të Serbisë.

“I bëjmë thirrje Beogradit të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë,. I bëjmë thirrje faktorin ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënoj sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës. Qytetarëve u bëjmë thirrje të informohen nga kanalet zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave”.

“Jeleku antiplumb që e konfiskuam në Veri kishte shenjën e njësisë speciale të Rusisë”

Sveçla, i shoqëruar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media ku u ekspozua edhe sasia e madhe e armatimit që u konfiskua të premten në Zveçan ndër të tjera ka treguar se një prej jelekëve anti-plumb të gjetur në veturën me armatim në Zveçan ka pasur shenjën e njësive speciale ruse.

Sipas tij kjo do të thotë që në Kosovë mund të jetë një pjesëtar i kësaj njësie të Rusisë, ose është ndonjë serb që ka qenë pjesë e luftërave në Rusi dhe është kthyer këtu për ta luftuar Kosovën.

Sveçla ka folur edhe për aksionin e Policisë së Kosovës ku është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, i cili ka bartur sasi të madhe të armatimeve me ç’rast ka theksuar se në mesin e gjërave që janë konfiskuar nga vetura me targa serbe më 23 qershor në Zveçan, ka pasur edhe radiolidhje të cilat kanë qenë të njëjta me ato që janë konfiskuar nga zyra e Aleksandër Filipoviqit – ish-zyrtar i lartë policor i Kosovës.

“Këto radiolidhje janë të njëjta me radiolidhjen që është gjetur në zyrën e tij e që janë pajisje të formacionit terrorist e kriminal. Këto mjete kishin qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve e institucioneve të Kosovës. Këto janë dëshmi se Vuçiç përmes grupeve e organizimeve të tilla tenton ta destabilizojë vendin tonë”, ka shtuar ai.

Sveçla ndër të tjera ka theksuar se armatimi i konfiskuar i përkasin ushtrisë serbe.

“Është e qartë kush qëndron pas sulmeve dhe përpjekjeve terroriste brenda vendit tonë. Këto prova të gjetura në veturën e institucioneve të Serbisë, radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe organizmi terrorist. Panorama është e qartë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, pra nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë. Doza e dhunës dhe kriminalitetit nga Serbia veçse po rritet, bandat kriminale tash veç janë shndërruar në organizime terroriste”, ka deklaruar Sveçla.

Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë tregon sasinë e madhe të armatimit që u konfiskua të premten në Zveçan

Në anën tjetër, Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka dhënë detajet nga aksioni i djeshëm i Policisë.

“Me datë 23.06.2023 rreth orës 20:03 minuta, Policia ka kryer një kontrollë të veturës Audi A6 me targa BG955JW, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve të rënda luftarake dhe pajisjeve të tjera ushtarake”, ka thënë fillimiasht ai duke shtuar se vetura ka qenë e parkuar ndërmjet objekteve të banimit kolektiv në Zveçan.

“Policia e Kosovës menjëherë ka marrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, dhe ka zbuluar se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për qytetarët dhe banorët që kanë frekuentuar atë zonë”.

Sipas Hoxhës në vendin e ngjarjes në ato momente përveç Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë edhe KFOR-i dhe EULEX-i

Hoxha ka numëruar dhe treguar në detaje se çfarë armatimi është sekuestruar të premten.

“Gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zolla, 2 lansues, 2 osa, një predhë e minahedhësit, 21 granada dore, 20 predha të trombllonit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhuese, 51 karikatorë të armëve të gjata, pesë karikatorë të armëve të shkurtëra, 5 mijë e 576 fishekë të kalibrave të ndryshme, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë anti-plmub dhe jelek taktik, nëntë uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, 1 dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve, 11 emblema të ‘Severna Brigad-ës’, 1 telefon ajror me sim kartelë dhe me numër, 3 radiolidhje, si dhe një sasi e narkotikëve. Si dhe vetura Audi A6”.

Sasia e madhe e armatimit që u konfiskua dje në Zveçan
Sasia e madhe e armatimit që u konfiskua dje në Zveçan
Sasia e madhe e armatimit që u konfiskua dje në Zveçan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore