Film

“Squid Game” shkruan historinë në Emmy Awards


Koreja e Jugut nuk kënaqet vetëm me ekranin e madh, por depërton thellë edhe në ekranin e vogël të televizorëve, tabletëve apo telefonave inteligjentë…dhe godet fuqishëm!

Historia është shkruar në ndarjen e çmimeve Emmy 2022, ku seriali hit botëror i gjigandit televiziv Netflix, “Squid Game”, për të parën herë në histori, i dha dy çmime krijuesit të tij dhe aktorit protagonist, duke i bërë aziatikët e parë, të cilët ngrenë kupat në këtë ngjarje të madhe kulturore amerikane.

Lee Jung-jae, u bë kështu aktori i parë protagonist aziatik, i cili rrëmben Emmy-n për aktorin më të mirë në një dramë televizive. Teksa, regjisori më i mirë, u shpall Hwang Dong-hyuk, krijuesi i “Squid Game” dhe orkestruesi e drejtuesi i gjithë serialit.

Një moment sigurisht historik për kinematografinë dhe kulturën koreane, pas fitores madhështore që Bong Jun-ho me filmin e tij “Parasite”, arritën në ndarjen e çmimeve Oscar dy vjet më parë.

Pavarësisht këtij debutimi në çmimet e ekranit të vogël nga ana e koreano-jugorëve, amerikanët do ta tregonin supremacinë në çdo kategori tjetër, ku fituesi i madh i natës ishte seriali i HBO, Succession.

Ky i fundit, u shpall edhe seriali më i mirë televiziv, duke rrëmbyer çmimin e madh.

HBO, prej vitesh ka qenë pretendent në shumë kategori dhe ka mposhtur rivalët e tjerë të televizionit dhe zbavitjes së shikuesve.

Zendaya ndërkohë ishte fituese e çmimit për performancën më të mirë nga një aktore në një dramë televizive, për rolin e saj në “Euphoria”.

Sa i përket komedisë, thuajse gjithçka shkoi për serialin “Ted Lasso”, i cili shfaqet në platformën Apple TV+.

E vetmja gjë, e cila nuk ndryshon në Emmy Awards, prej vitesh tashmë, është çmimi i varietes më të mirë televizive, e cila për të tetën herë (dhe të shtatën radhazi), shkoi për “Last Week Tonight”, të gazetarit të njohur britanik John Oliver.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore