Kosova

SHBA-ja akuzon Kosovën për “përshkallëzim të tensioneve” pas mbylljes së degëve të bankës serbe në veri


Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) deklaroi në një përgjigje për Zërin e Amerikës se është i zhgënjyer për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së DASH-it, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.

“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH-i.

Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje, ndërsa BE-ja shprehu gatishmëri të presë edhe një tjetër takimit për dinarin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore