Gjykata Speciale

Specialja bastis shtëpinë e Isni Kilajt


Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë duke e bastisur shtëpinë e ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj.

Kështu ka njoftuar në Facebook, kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Malishevë, Metush Kryeziu.

“Në vazhdën e këtyre bastisjeve, pjesëtarë të EULEX-it në mëngjesin e sotëm vazhduan me bastisjen e shtëpisë së komandantit Isni Kilaj . Çka po ndodhë?”, ka pyetur ai.

“Pse po targetohet një grup i njerëzve dhe ai grup i cili është i afërt me Thaçin. Tashmë kjo gjykatë në mungesë të fakteve po bën spektakël. Turp”, ka shtuar Kryeziu.

Një ditë më parë është bastisur edhe shtëpia e Ismail Sylës – ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Siç pati njoftuar avokati i Sylës, Artan Qerkini, atij i është sekuestruar vetëm telefoni.

Por, Syla s’është i vetmi që është përballur me bastisje, pasi që, të martën e 31 tetorit, bastisje pati edhe në shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami si dhe në shtëpinë e prindërve të tij.

Me urdhër të Speciales, së fundmi pati bastisje edhe në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore