Shqipëria

Sot Kongresi i PS-së. Socialistët urojnë 30-vjetorin


12 qershori shënjon 30-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste. Mëngjesin e ditës së shtunë kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama ka uruar ditëlindjen e saj.

“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste për të gjithë ata që kanë dhënë e i japin PS-së diçka sado të vogël”.

Rama shton se me zotim do të vazhdohet përpjekja që PS-ja të bëhet më e mirë për të gjithë.

Përveç kreut të PS-së, urim ka bërë dhe Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla.

“Gëzuar ditëlindjen e 30-të të Partisë Socialiste, forca kryesore politike në vend”.

Balla ka falënderuar themeluesit e PS-së, që më 1991 i dhanë Shqipërisë një forcë politike. “Këto 30 vite ka qenë gjithmonë në kahun e duhur të historisë”.

“Mirënjohje të gjithë anëtarësisë, patronazhistëve, mbështetësve tanë për kontributin e pazëvendësueshëm në çdo fitore tonën elektorale”.

Po ashtu edhe ministrja e Shtetit për Çështjet Parlamentare, Elisa Spiropali, shkruajti se “Partia Socialiste ka farkëtuar tashmë identitetin e saj evropian dhe progresist”.

Duke shtuar se “kjo është dekada jonë për Shqipërinë e të gjithëve”.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Twitter ka publikuar një foto me mbishkrimin “30 vjet PS”.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, ka shkruar se PS-ja është forca që ka kontribuar dhe vijon të kontribuojë për zhvillimin e vendit dhe kapërcimin e sfidave sado të forta të jenë ato.

Ajo që vihet re në urimet e tyre është simboli historik i PS-së, trëndafili.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore