Lajme

Sindroma “Havana” – tjetër skartim mes zyrtarëve amerikanë


Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) ka larguar shefin e filialit të saj në Vjenë, pasi “nuk reagoi siç duhet ndaj shpërthimit të sindromës misterioze ‘Havana'”.

Dhjetëra personel amerikan në kryeqytetin austriak dhe fëmijët e tyre kanë raportuar simptoma të sindromës, teksa gjendja u shfaq për herë të parë në Ambasadën Amerikane në Havana të Kubës, në vitin 2016.

Të gjithë të prekurit kanë shfaqur të njëjtat simptoma: dëgjojnë tinguj gumëzhitës, të cilët vijnë nga një drejtim dhe ndiejnë presion në kokat e tyre.

Të tjerë janë ankuar gjithashtu për ndjesi tё vjelle, marramendje dhe lodhje.

Përveç Havanës, Vjena është vendi me raportimet më të shumta të sindromës, sipas agjencisë mediatike “BBC”.

Çfarë është Sindroma Havana?

Sindroma Havana është një seri simptomash të pashpjegueshme mjekësore të përjetuara për herë të parë nga personeli i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve të vendosur në Kubë, duke filluar në fund të vitit 2016.

Pas ngjarjes, në vitin 2018, u botua një studim shkencor i të prekurve në Kubë, i cili zbuloi se, diplomatët kishin përjetuar një formë të dëmtimit të trurit.

Si shpjegim më të besueshëm, një panel i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Shteteve tё Bashkuara tregoi vitin e kaluar, “energjinë e pulsuar të frekuencës së radios”.

Megjithatë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi në qershor se, do të ndërmerrte një rishikim të detajuar për të zbuluar shkaqet e sëmundjes.

“Një grup pune, i udhëhequr nga një zyrtar i CIA-s, dikur i përfshirë në kërkimin e Osama Bin Laden, është dedikuar për të zbuluar shkaqet e sindromës”, njoftoi në fillim të kësaj jave një burim i qeverisë amerikane për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Më herët, Burns kishte deklaruar se, “ekziston një mundësi shumë e madhe që sindroma mund të jetë shkaktuar qëllimisht dhe sugjeroi se mbrapa saj mund të jetë Rusia”.

Por, Moska e mohoi diçka të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore