Përballje

Shqipëria mposhtet nga Belgjika


Kombëtarja shqiptare e femrave është mposhtur nga ajo e Belgjikës me rezultat 0:5 në stadiumin “Elbasan Arena” ndeshjen e radhës në eliminatoret e Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Vajzat kuqezi e nisën mirë ndeshjen dhe u afruan në disa raste në portën e Belgjikës fillimisht me Krasniqin e më pas me Maksutin që provoi me një gjuajtje nga distanca.

Me kalimin e minutave vajzat belge e shtojnë presionin para portës së Shqipërisë dhe në minutën e 37-të kalojnë në avantazh me anë të De Caigny, e cila zhbllokon rezultatin me një gjuajtje me kokë në qendër të zonës.

Vetëm dy minuta më pas Wullaert arrin të dyfishojë rezultatin me një goditje të saktë fare pranë portës dhe në minutën e 43-të De Caigny realizon golin e tretë dhe të dytin personal.

Në pjesë e dytë Shqipëria provon të reagojë, por nuk arrin dot të gjej rrugën e rrjetës. Në minutën e 57-të Belgjika i çon shifrat në 4:0 me golin e Wullaert.

Grima detyrohet të bëjë një zëvendësim të detyruar kur Endrina Elezaj e dëmtuar lë fushën e lojës. Në vendin e saj hyn Mimoza Hamidi.

Në minutën e 79-të belget shënojnë edhe golin e pestë me Blom. Trajneri kuqezi bën disa zëvendësime duke hedhur në fushë Armela Tukajn, Esi Lufon dhe Mikaela Metallën, por rezultati nuk ndryshon deri në fund.

Sfida mbyllet me fitoren 0:5 të Belgjikës, ndërkohë që tani Shqipëria do të përgatitet për ndeshjen e radhës ndaj Armenisë në transfertë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore