Shqipëria

Shqipëri: Çmimi i energjisë do të rritet për familjet që konsumojnë mbi 800 kw/orë


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një intervistë të shtunën e 2 korrikut ka bërë me dije se çmimi i energjisë do të rritet për ato familje që kalojnë fashën e konsumit prej 800 kw/orë.

Më herët, ministrja kishte deklaruar se rritja mund të ishte për ata familje që kalojnë 700 kw/orë, por në bazë të një analizë që grupi i punës ka bërë, sipas saj mendohet të jetë 800.

“Në një analizë që kemi bërë, nuk është vendosur nëse do jetë 700 apo 800 kw/orë. Kjo pasi ka rezultuar që deri në 700 kw/orë është konsumi normal i familjeve në varësi dhe të numrit të personave, familjarëve që ka. Por nga ana tjetër, 800 kw/orë fillon dhe quhet një konsum mbi normalen”, u shpreh Balluku.

Ndërkaq ajo u theksoi se besonte se kjo do të jetë fasha duke shtuar se kjo, “është diçka që e kemi menduar që duhet të bëhet shpejt”.

“Nëse jo brenda verës, do të bëhet në fillim të shtatorit, por padyshim ka ardhur koha që patjetër qeveria duhet të sigurojë energjinë. Është shumë e rëndësishme që ne mos të rrisim çmimin për abonentin por nga ana tjetër duhet, që të ketë një ndërgjegjësim nga ana e çdo përdoruesi të energjisë elektrike, e çdo abonenti për të qenë të kujdesshëm dhe për të ruajtur sa më shumë energjinë”, ishte përgjigja e Ballukut.

Sipas saj kursimi i energjisë duhet të vijë jo vetëm për shkak të çmimeve por edhe për shkak të mungesës që ka në treg.

Më 13 prill ishte vetë Balluku, e cila njoftoi se gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi për të rritur çmimin e energjisë për të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 700 kilovat/orë në muaj.

E gjitha kjo ka ardhur për shkak të krizës energjetike në botë, nga e cila është prekur edhe vendi ynë.

Do të ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili njoftoi se vendi është prekur nga kriza dhe qeveria po përgatiste planin e veprimit.

Një ndër pikat e mbështetjes së qeverisë për familjet ishte subvencioni i çmimit të energjisë.

Nga buxheti i shtetit janë dhënë 28 miliardë për mburojën e energjisë, ku çmimi i saj nuk është rritur për familjet dhe bizneset e vogla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore