Sport

Shevchenko: Ndalojeni këtë luftë, po vriten fëmijët!


Legjenda e futbollit ukrainas, Andriy Shevchenko, së fundmi ka lëshuar një deklaratë, ku ka bërë thirrje që të ndalet lufta mes Rusisë dhe vendit të tij, Ukrainës.

Gjatë një interviste për “Sky Sport”, Shevchenko u shfaq i tmerruar nga ngjarjet që janë duke ndodhur në atdheun e tij, pas pushtimit të Rusisë në javën e kaluar.

45-vjeçari deklaroi se është “një moment shumë i vështirë” për Ukrainën dhe zbuloi se nëna dhe motra e tij aktualisht ndodhen në Kiev.

“Është një moment shumë i vështirë për vendin tim, për popullin tim, për familjen time. Nëna ime dhe motra ime janë në Kiev në këtë moment dhe atje po ndodhin gjëra të tmerrshme”, tha Sheva.

“Janë njerëz që vdesin, fëmijë që vdesin, raketa që drejtohen në shtëpitë tona, dhe ne duhet ta ndalojmë këtë luftë, ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta ndalur luftën”, shtoi ai.

Fituesi i Topit të Artë vazhdoi më tutje, duke falënderuar ushtrinë e vendit të tij, si dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky-n.

“Dua të falënderoj kombin tim, ushtrinë, presidentin Volodymyr Zelensky që po bënë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur vendin tim nga agresioni rus. Jam shumë krenar që jam ukrainas”, vazhdoi më tej Shevchenko.

Ai shtoi, se u përpoq të bindte familjen e tij për t’u bashkuar me ata që po ikin nga Kievi, por ata nuk pranuan.

“Mamaja dhe motra ime, si shumica e popullit ukrainas, refuzojnë të largohen, ata po qëndrojnë të vendosur për të luftuar, për lirinë tonë, për shpirtin tonë”.

“Ne jemi një popull i bashkuar dhe, në këtë moment, një vend i bashkuar. Ka shumë ndihmë përreth, familjet përpiqen të ndajnë ushqimin me ushtarët, për të ndihmuar trupat”.

Në fund, ish-sulmuesi i Milan-it pati falënderime për të gjithë ata që përpiqen ta ndihmojnë vendin e tij.

“Dua të falënderoj të gjithë botën që mbështesin Ukrainën, dua të falënderoj Britaninë e Madhe për mbështetjen e jashtëzakonshme, falënderoj të gjithë ata që po mbështesin Ukrainën në një moment shumë të vështirë në kombin tonë”, tha mes të tjerash Andriy Shevchenko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore