Lajme

Shefja e USAID-it: Mezi pres të angazhohem në këtë moment kritik për Kosovën dhe Serbinë


Shefja e Agjencisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.

Shefja e Agjencisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka bërë të ditur se ka arritur në Beograd ku do të takohet me liderët shtetëror.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Power e ka quajtur situatën aktuale ‘moment kritik’ për Kosovën dhe Serbinë.

“Sapo mbërriti në Beograd si pjesë e vizitës njëjavore në Serbi dhe më pas në Kosovë. E nderuar që jam e para administratore e USAID që vizitoj Serbinë, mezi pres të angazhohet me një sërë partnerësh në këtë moment kritik për të dy vendet”, ka shkruar ajo.

Power do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç. Po ashtu, ajo pritet të takohet edhe me presidentët e të dy vendeve – presidenten kosovare Vjosa Osmani dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me “qëllim të uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo do të takohet në Prishtinë dhe Beograd edhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesi dhe gazetarë, si përpjekje inkurajuese e SHBA-ve për palët që të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Power do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në deklaratën e USAID-it, transmeton “Associated Press”.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore