Lajme

Sela porosi “kukullave” të Mickoskit: S’do të lejojmë që të përbuzet sakrifica e dëshmorëve


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në tubimin përmbyllës të “Frontit Evropian” në Tetovë, deklaroi se nuk do të lejojë që të përbuzet sakrifica e dëshmorëve, derisa pjesëtarët e koalicionit opozitar shqiptar VLEN i cilësoi “kukulla” të liderit nacionalist të VMRO-DMPNE-së, Hristjan Mickoski, të cilët, sipas tij, nuk vendosin për të ardhmen e shqiptarëve.

“Ju jeni këtu për t’i dhënë porosi Mickoskit dhe kukullave të tij se nuk vendosin ata për të ardhmen e shqiptarëve – jeni ju ata që do t’i thoni ‘Po’ Evropës dhe ‘Jo’ Rusisë… Të gjithë ata pa përjashtim, prej të parit deri tek i fundit, janë pafjalë dhe paburra. Ata harrojnë se fjala kur jepet njëherë, duhet të çohet në vend”, potencoi Sela para simpatizantëve të pranishëm.

“Në këtë ditë t’i përkujtojmë të gjithë ata që e sakrifikuan jetën për një ardhmëri më të mirë për popullin e tyre. Ne nuk do të lejojmë askënd që ta përbuzë mundin dhe sakrificën që ata e kanë dhënë. Ne kujtojmë dëshmorët që sakrifikuan edhe vite burg që këtë popull ta shohin zot në shtëpinë e vet”, shtoi ndër të tjera njëri nga liderët e koalicionit “Fronti Evropian”.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare mbahen më 8 maj 2024. Sondazhet e nxjerrin VMRO-DPMNE-në si fituese të zgjedhjeve parlamementare, ndërsa e njëjta parapëlqen të marrë në qeverisje koalicionin opozitar shqiptar VLEN, ndonëse brenda kampit shqiptar, fitues pritet të jetë “Fronti Evropian” nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore