Lajme

S’e kam nënshkruar unë dhe as s’e zbatoj unë Asociacionin, Kurti për mediumin austriak


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një intervistë për mediumin austriak APA ka deklaruar se do të vazhdojë të refuzojë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka sqaruar se kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga ai, prandaj edhe nuk ka pse të zbatohet nga ai.

“Unë kam ardhur në pushtet vitin e kaluar, kanë qenë paraardhësit e mi që kanë nënshkruar këtë marrëveshje me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi, pse nuk e zbatuan atëherë, në vitin 2013?”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit, ka përmendur edhe faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka cilësuar si jokushtetuese dispozitat e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kushtetuta jonë nuk është në përputhje me një bashkim etnik, sepse thelbi i kushtetutës së Kosovës është natyra multietnike e shtetit. Kërkesat për një autonomi të tillë për zonat me shumicë serbe në Veri të Kosovës nuk erdhën as nga popullata vendase. Vetëm Beogradi e dëshiron këtë në mënyrë që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftën në kohën e Millosheviç-it , por kjo nuk është “e realizueshme”, sqaroi Kurti.

Marrëveshja me Serbinë do të arrihet në dy vitet e ardhshme

Por, megjithatë ka shprehur bindjen se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve do të arrihet në dy vitet e ardhshme.

“Njohja reciproke nuk do të jetë e vetmja çështje, por ajo duhet të jetë pjesa qendrore. Unë jam gjithashtu shumë optimist sepse kemi një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin Olaf Scholz në Berlin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, planin franko-gjerman të publikuar nga Albanian Post, Kurti e ka përshkruar si “një bazë të mirë për diskutime”

Sipas tij, është pozitive që është e bazuar në vlera dhe jo vetëm për zgjidhjen e problemeve si qasjet e mëparshme.

“Ka shumë mangësi, por është një pikënisje e mirë”.

Largimi i serbëve lokalë nga institucionet e Kosovës – pozitat do të zëvendësohen

Kryeministri, ka shprehur dëshirën që sa më shpejt të plotësohen vendet e lira në Veri të Kosovës, pas tërheqjes së serbeve nga institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk është duke pritur që serbët të kthehen.

“Nuk mund të lejojmë vakum”, tha Kurti gjatë një vizite në Vjenë.

“Do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja për katër kryetarë komunash në veri të Kosovës. Të tjerët do të duhet të zënë vendin e dhjetë deputetëve serbë të parlamentit të Kosovës nga lista serbe. Nëse nuk duan, duhet të vazhdojmë me partnerët tjerë”, thotë Kurti.

Targat.

Zëvendësim do të bëhet edhe në Policinë e Kosovës, pasi sipas Kurtit “duhet të garantojmë sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë”.

Edhe pse ka pasur djegieje të veturave, kryeministri theksoi se edhe me 1500 dënime të vendosura për pronarët serbë të veturave deri më tani, nuk ka pasur asnjë ankesë apo incident.

“Të gjithë serbët e marrin letrën dhe as nuk u thonë asnjë fjalë të keqe policëve, qytetarët janë të mirë dhe të qetë. Problemi janë strukturat ilegale të financuara nga Beogradi në Veri të Kosovës”.

Ndërsa bëri të ditur se qeveria ka ndërmend të paraqesë një kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit.

“Duam të tregojmë publikisht se duam të anëtarësohemi në BE”.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vjet më vonë, të dyja ishin pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore