Lajme

Rusia akuzon Ukrainën për përgatitjen e bombës së pistë


Rusia ka akuzuar shtetin e Ukrainës se Kievi po përgatit një bombë “ të pistë”.

Ajo nuk ka ofruar asnjë provë për pretendimet e saj, të cilat  Organizata e Traktatit e Atlantikut të Veriut, NATO,  i ka  i ka hedhur poshtë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se ky pretendim nënkuptonte se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji.

Të ashtuquajturat bomba të pista përmbajnë material radioaktiv, si uraniumi, i cili shpërndahet në ajër kur shpërthen eksplozivi i tij konvencional. Ato nuk kanë nevojë të përmbajnë material radioaktiv shumë të rafinuar, siç përdoret në një bombë bërthamore, gjë që i bën dhe më të lehta për t’u manovruar.

Agjencia Ndërkombëtarë e Energjisë Atomike (IAEA), tha se kishte marrë një ftesë nga qeveria ukrainase për të “verifikuar” direkt në dy vende të paspecifikuara për publikun.

Rafael Grossi , drejtor i përgjithshëm i agjencisë tha se IAEA, inspektoi një nga këto vende një muaj më parë dhe se gjetjet e bëra ishin në përputhje me deklaratat mbrojtëse të Ukrainës.

Moska pritet të përsërisë pretendimin gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfaqësuesi rus në këshill, Vassily Nebenzia, tha se vendi i tij “do ta konsideronte përdorimin e bombës së pistë nga regjimi i Kievit si një akt terrorist”.

Pretendimet e Moskës, të bëra nga ministri i saj i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, janë hedhur poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj Perëndimorë.

Ato vijnë pasi forcat ukrainase vazhdojnë të fitojnë terren në rajonin jugor të Khersonit.

Forcat e Kievit filluan një kundërsulm në rajon në gusht të këtij viti duke përparuar ngadalë drejt kryeqytetit rajonal të Kherson-it.

Zyrtarët nga Moska, të ardhur më parë, janë duke u larguar nga qyteti dhe u kanë kërkuar civilëve që të evakuohen në zonat mbi lumin Dnieper, territor i kontrolluar nga Rusia.

Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, paralajmëroi mediat shtetërore se trupat ruse në rajon në fakt po përgatisnin mbrojtjen e qytetit në vend që të tërhiqeshin.

Kherson është i vetmi qytet i madh ukrainas, një kryeqytet rajonal, që forcat ruse kanë arritur ta zotërojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore