Lajme

Heroi i “Hotel Ruanda” shpallet fajtor pas akuzave për terrorizëm


Paul Rusesabagina

Një gjykatë në Ruandë (Afrikë) e ka shpallur Paul Rusesabagina-n fajtor lidhur me akuzat e terrorizmit.

“Ata duhet të shpallen fajtorë pёr pjesёmarrjen nё grupin terrorist-MRCD-FLN. Ata sulmuan njerëzit në shtëpitë dhe makinat e tyre”, tha para mediave gjyqtarja Beatrice Mukamurenzi të hënën.

Rusesabagina është një ish-menaxher hoteli, i portretizuar si hero në një film të Hollivudit për gjenocidin e vitit 1994.

Megjithatë, para një viti, ai u akuzua për lidhje në terrorizëm, vrasje dhe inskenime sulmesh në Ruanda.

Rusesabagina, 67 vjeç, i mohoi të gjitha akuzat në seancën e gjyqit dhe njoftoi gjithashtu se, “disa persona e kishin rrëmbyer nga Dubai, direkt pas ngjarjeve në fjalë”.

Ai mban gjithashtu një shtetësi belge dhe është i njohur gjerësisht si shpëtimtari i më shumë se 1 mijë njerëzve në gjenocidin e Ruandës.

Deri në arrestimin e tij nga qeveria e Ruandës, ai jetonte mes Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës dhe kritikonte shpesh nga mërgimi presidentin e Ruandës, Paul Kagame.

Rusesabagina do të përballet me burgim të përjetshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore