Lajme

Rrëzohet edhe aktakuza e dytë ndaj tre të akuzuarve tjerë për dhunim të 11-vjeçares – Apeli e kthen në rivendosje


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj tre të pandehurve G.S, B.S dhe M.S, të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, në muajin qershor të vitit 2022, raporton Betimi për Drejtësi.

“Hudhet aktakuza PP… në pikën IV lidhur me të pandehurin G.S dhe B.S dhe në pikën VIII lidhur me të pandehurin M.S- Për shkak se Parashtesa- Aktakuza PP…të dt. 21.12.2022 është e pa plotë”, thuhet në vendimin e Themelores.

Më 26 janar 2023, Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilat janë hedhur si jo të plota aktakuzat ndaj pesë të dyshuarve në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë duke e kthyer çështjen penale në gjykatën e shkallës së parë, në rivendosje.

Në këtë rast janë të përfshirë tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S, të cilët sipas Prokurorisë janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, e të cilët ngarkohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Ndryshe, më 29 gusht 2022, një e mitur 11-vjeçare u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë, çka nxiti reagime të mëdha në Kosovë kurse më 31 gusht, mijëra persona protestuan në kryeqytet kërkuan drejtësi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Në këtë protestë po kërkohej krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore