Lajme

Dyshohet se është dhunuar një 16-vjeçare në Gjilan


Ilustrim

Dy persona janë arrestuar në Gjilan pasi dyshohet se kanë dhunuar një 16-vjeçare.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e kësaj komune, Ismet Hashani, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Megjithatë, rastet e dhunimit janë shpeshtuar kohëve të fundit në Kosovë.

Më 29 gusht, një e mitur 11-vjeçare u raportua se u dhuna nga pesë persona, çka nxiti reagime të mëdha në Kosovë. 11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë. Për rastin e saj kanë reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Ndërsa dy ditë më pas, mijëra persona protestuan në kryeqytet kërkuan drejtësi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Në këtë protestë po kërkohej krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar me neglizhencën e institucioneve të Drejtësisë lidhur me dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

“Rasti ishte raportuar në fund të qershorit, dhe është dashur të presim dy muaj që fajtorët të arrestohen. Prokurori nuk ka vepruar dhe, është i njëjti prokuror i rastit që, nuk kishte marrë masa edhe në një rast në Fushë Kosovë, ku një e mitur ka humbur jetën”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se duhet që t’ju vie fundi zyrtarëve publikë që nuk i kryejnë detyrat e tyre.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati njoftuar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla në Facebook të martën.

Ai ka theksuar se tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmetit dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm Fehmi Hotin, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

“Me këtë rast falënderoj Mehmetin për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.

Edhe drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka dhënë dorëheqje. Siç ka thënë ai këtë po e bën “si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjecares ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”.

“Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se akte të tilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore