Lajme

Dorëhiqet drejtori i Policisë së Kosovës


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmetit dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm Fehmi Hotin, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

“Me këtë rast falënderoj Mehmetin për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.

Më 13 janar të vitit 2021, Mehmeti ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Mehmeti, kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë, që kur u shkarkua Rashit Qalaj.

Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar se ka qenë i përfshirë në dhunimin e 11-vjecares të shtunën.

“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim policorë është duke intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë”, ka njoftuar policia.

Sipas organeve të rendit, të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim dy të dyshuarave për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.

Prangoset “dhunuesi” i pestë e 11-vjeçares

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore