Lajme

Prangoset “dhunuesi” i pestë e 11-vjeçares


Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar se ka qenë i përfshirë në dhunimin e 11-vjecares të shtunën.

“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim policorë është duke intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë”, ka njoftuar policia.

Sipas organeve të rendit, të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim dy të dyshuarave për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore