Lajme

Ministrat e BE-së i japin dritën jeshile misioneve kufitare në Rafah


Ministrat e Punëve të Jashtme evropiane dhanë dritën jeshile të hënën për të riaktivizuar një mision kufitar të Bashkimit Evropian në Rafah, një qytet në Rripin jugor të Gazës, tha shefi i politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell.

“Kam dritën jeshile nga ministrat e BE-së për të riaktivizuar misionin kufitar në Rafah”, tha ai, duke shtuar se një mision i tillë do të kishte nevojë për mbështetjen e Egjiptit, Izraelit dhe palestinezëve.

E gjitha vjen teksa situata është alarmante, me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kërkon ndalimin e menjëhershëm të operacioneve izraelite në Rafah dhe nga ana tjetër, vetë Izraelit, i cili ka kryer sulme të përgjakshme natën e fundit, ku mbi 40 persona (shumica civilë palestinezë) mbetën të vrarë.

Borrell më herët i ka quajtur tmerruese zhvillimet e fundit në Gaza, posaçërisht mbi ngjarjet në Rafah, ku Izraeli ka ndërmarrë një sulm me dhjetëra të vrarë gjatë natës së 26 majit, përfshi civilë.

Borrell i quan ‘tmerruese’ zhvillimet e fundit në Rafah, i kërkon Izraelit të ndalojë menjëherë sulmet

Përmes një publikimi në median sociale Twitter, Borrell e ka dënuar këtë akt, teksa ka kërkuar që kjo ofensivë izraelite menjëherë të ndalojë.

“Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. Urdhrat e GJND-së dhe Ligjit Ndërkombëtar Humanitar duhet të respektohen nga të gjitha palët”, shkroi ai.

Ndërsa, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar sulmin ajror vdekjeprurës izraelit në një kamp për palestinezët e zhvendosur në qytetin jugor të Gazës, Rafah, si një “fatkeqësi tragjike”.

“Ne po hetojmë rastin, kjo është politika jonë”, tha Netanyahu në një fjalim në Knesset të hënën, raportoi Haaretz.

Netanyahu thotë se sulmi ajror vdekjeprurës i Rafahut është një ‘fatkeqësi tragjike’

Udhëheqësi izraelit shtoi se “për ne, çdo i lënduar është një tragjedi”. Ai pretendoi se incidenti ndodhi “me gjithë përpjekjet izraelite më të mira për të mos i lënduar ata” (referuar palestinezëve).

Zyrtarët në Gaza thonë se të paktën 45 njerëz u vranë, pasi sulmi ajror izraelit goditi çadrat që strehonin njerëz të zhvendosur. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se po hetojnë sulmin.

Netanyahu mbeti sfidues gjatë fjalimit të tij dhe u zotua të vazhdojë të luftojë në Gaza pavarësisht dënimit ndërkombëtar të ofensivës së saj në Rafah dhe vendimit të së premtes nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë që urdhëroi që ajo të ndalet menjëherë.

“Unë do të vazhdoj të luftoj derisa të ngrihet flamuri i fitores,” tha Netanyahu, raportoi Times of Israel.

Unë nuk kam ndërmend ta përfundoj luftën para se të arrihet çdo qëllim. Nëse dorëzohemi, masakra do të kthehet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore